58-vjeçari Jorgi Ajredini nga fshati Rëmbec i Maliqit, i dërguar më 13 gusht në spitalin e Korçës me plagë të rënda në kokë, humbi jetën më 7 shtator në një spital të Tiranës, ku ishte transferuar për trajtim më të specializuar.
Policia e Korçës fillimisht e referoi ngjarjen si aksidentale, duke dyshuar se plagët ishin shkaktuar nga goditja e kalit. Por familjarët e viktimës kundërshtojnë këtë version, duke pretenduar se bëhet fjalë për një ngjarje kriminale. Ata thonë se 58-vjeçari është gjetur në një kanal pranë fushës së sportit të fshatit, me disa plagë në kokë në ballë dhe pas veshëve çka sipas tyre nuk përputhet me një goditje aksidentale.
Dy vëllezërit e të ndjerit, Agustin dhe Ilia Ajredini, rrëfejnë se Jorgi kishte deklaruar para se të humbiste ndjenjat se ishte goditur nga një person i shkurtër nga Pogradeci. Ata theksojnë se shenjat e shumta të dhunës, në ballë, pas veshëve dhe në nofull, tregojnë qartë përdorimin e mjeteve të forta dhe jo një goditje kali. Familjarët kujtojnë se viktima kishte pasur një konflikt të vjetër me një bashkëfshatar, çështje e cila kishte çuar më parë edhe në burgosje.
Dyshimet i forcon edhe daja i viktimës, Kostaq Kosturi, i cili ka cituar mjekun që e trajtoi 58-vjeçarin në Tiranë. Sipas tij, mjeku ka përjashtuar mundësinë që plagët të jenë shkaktuar nga kali dhe ka pohuar se bëhet fjalë për goditje me sende të forta.
Vdekja e Jorgi Ajredinit ka rihapur hetimet nga policia dhe prokuroria e Korçës. Deri tani janë shoqëruar dhe marrë në pyetje rreth 15 persona, përfshirë familjarë dhe banorë të fshatit. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, të cilat po i nënshtrohen ekspertimit, ndërsa grupi hetimor është në pritje të raportit përfundimtar mjeko-ligjor, i cili do të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një aksident apo për një ngjarje kriminale.