Shkruan Kristiano Koçibelli/ Sporti korçar, dikur krenaria e juglindjes dhe një nga simbolet më të spikatura të suksesit në Shqipëri, sot gjendet në një krizë të thellë si pasojë e keqmenaxhimit të vazhdueshëm nga pushteti lokal dhe ai qendror. Mungesa e investimeve serioze, papërgjegjshmëria administrative dhe interesat personale kanë lënë pas dore infrastrukturën sportive, talentet e reja dhe vetë frymën e garës që për vite me radhë frymëzoi breza të tërë.
Një nga shembujt më të dhimbshëm të kësaj rënieje është ai i klubit legjendar “Skënderbeu”. Pas viteve të lavdisë ku dominonte Kategorinë Superiore dhe përfaqësonte Shqipërinë denjësisht në arenën europiane, Skënderbeu sot ka rënë në Kategorinë e Parë, një goditje e rëndë për qytetin e Korçës dhe gjithë sportdashësit shqiptarë. Kjo rënie nuk është thjesht një rezultat sportiv, por një pasqyrim i keqmenaxhimit institucional, mungesës së vizionit dhe mbështetjes nga autoritetet lokale dhe qendrore.
Në mungesë të një strategjie afatgjatë, Korça po humbet jo vetëm sportin e saj elitar, por edhe mundësinë për të edukuar të rinjtë përmes sportit, duke i lënë ata pa alternativa të shëndetshme. Rënia e Skënderbeut është një kambanë alarmi për të gjithë!
Ky është momenti për rikthimin e dinjitetit dhe krenarisë së korçarëve! Duhet t’i kthejmë sportdashësve tanë Skenderbeun Madhështor!