Mbrëmja e dytë e edicionit të këtij viti të MIK Festival solli në skenën e Teatrit të Korçës një repertor të pasur artistik, në nderim të tenorit të madh shqiptar, Gaqo Çako, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.
Artistë të brezave të ndryshëm, dikur studentë të Çakos dhe sot emra të spikatur të muzikës klasike, u bënë bashkë për të interpretuar vepra të zgjedhura që mbartin gjurmën dhe shpirtin e mjeshtrit. Në këtë atmosferë përkujtimore, dirigjenti Eno Koço, një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të tenorit, solli për publikun edhe një CD dhe libër të dedikuar figurës së tij.
Pas 32 vitesh larg skenës shqiptare, sopranoja Tatjana Elmazi, e njohur për rolin e saj në “Karnavalet e Korçës”, zgjodhi pikërisht këtë mbrëmje për t’u rikthyer, për të nderuar mësuesin dhe frymëzimin e saj artistik, Gaqo Çakon.
Emocione të veçanta solli edhe prania e tenorit të ri Xhoiden Dervishi, i cili ndonëse zhvillon karrierën jashtë vendit, e konsideron figurën e Çakos si një pasuri kombëtare me potencial ndërkombëtar të papërmbushur.
Një moment i papritur, por i ngrohtë për publikun, ishte ngjitja në skenë e Antoni Çakos, nipit të tenorit, i cili interpretoi përkrah nënës së tij, sopranos Inva Mula. Mbrëmja u mbyll mes duartrokitjesh dhe ndjeshmërisë së thellë për trashëgiminë muzikore të një prej figurave më të rëndësishme të muzikës shqiptare.
Nën tingujt e Orkestrës Sinfonike të Forcave të Armatosura, në skenë u ngjitën edhe emra si Kastriot Tusha dhe Gjergji Mani, në një natë ku Korça përkujtoi me dinjitet dhe krenari birin e saj, Gaqo Çako.

