Varrezat monumentale ilire në Selcë të Poshtme, një ndër pasuritë më të rralla të trashëgimisë kulturore shqiptare, janë dëmtuar sërish nga persona të paidentifikuar, që dyshohet se kanë ndërhyrë në strukturat e tyre për të kërkuar objekte me vlerë arkeologjike.
Dy gropa të thella janë gërmuar në një nga varret kryesore, duke dëmtuar rëndë shtresat historike të monumentit. Ky është rasti i dytë brenda dy muajsh, ndërsa rastin e parë banorët e zonës e kanë referuar tek inspektori i policisë, pa marrë asnjë përgjigje apo veprim konkret. Edhe pse lajmi tashmë është bërë publik në media kombëtare, ajo që bie në sy është heshtja e plotë e institucioneve vendore, përfshirë Bashkinë e Pogradecit dhe Drejtorinë e Turizmit dhe Kulturës pranë kësaj bashkie.
Ndërkohë që administrimi dhe mbrojtja ligjore e monumentit i takon Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Korçë, vetë varrezat ndodhen në territorin administrativ të Bashkisë Pogradec, e cila, pavarësisht mungesës së kompetencave direkte, ka detyrimin institucional dhe moral të reagojë kur trashëgimia në territorin e saj cenohet. Duket se Bashkia e Pogradecit shfrytëzon këto asete vetëm për propagandë institucionale dhe gjoja promovim të zonës.
Asnjë deklaratë, asnjë njoftim, asnjë pozicionim publik nuk ka ardhur deri më tani nga Bashkia apo strukturat e saj, ndërkohë që për të njëjtën zonë bëhet thirrje që të investohen projekte promovimi turistik e trashëgimor. Një paradoks i papranueshëm. Nga njëra anë flitet për zhvillim të turizmit kulturor në zonën e Mokrës, ndërsa nga ana tjetër, varret ilire, që përbëjnë një atraksion unik në nivel kombëtar, vazhdojnë të mbeten të pambrojtura, të pa monitoruara dhe pre e grabitësve të historisë.
Ky rast i përsëritur ngre shqetësimin se pas çdo gërmimi të paligjshëm, nuk ka vetëm dëme të pariparueshme mbi trashëgiminë, por edhe një heshtje bashkëfajtore që vjen nga mungesa e reagimit institucional. Për një ngjarje të tillë, publiku pret përgjigje. Dhe Bashkia e Pogradecit, si autoriteti më i afërt territorial, nuk mund të qëndrojë më në rolin e spektatorit. Heshtja nuk është neutralitet, është shmangie nga përgjegjësia.

