Një reagim i fortë vjen nga një prej figurave të vjetra të Partisë Demokratike në Pogradec, Leonard Berberi, ish-sekretar i degës lokale, pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit. Në një postim publik në rrjetet sociale, Berberi bën një bilanc krahasues të votave të marra nga PD dhe aleatët e saj në vitin 2021 dhe në vitin 2025, duke theksuar me shqetësim rënien drastike të mbështetjes elektorale.
Berberi ngre pyetje të drejtpërdrejta për drejtuesit e qarkut, kandidatët dhe strukturat e reja e të vjetra të partisë, ndërsa ironizon edhe përpjekjet propagandistike në rrjetet sociale. Me tone therëse dhe pa kursyer askënd, ai kërkon një reflektim të thellë mbi shkakun e humbjes dhe mungesën e angazhimit real gjatë fushatës.
Postimi i plotë i Leonard Berberit:
“Që të jemi të qartë me ndryshimin e PD dega Pogradec me ata të Bashës dhe Berishës.
Në 2021 PD si subjekt 12,509 Vota + 2,718 LSI= 15,227 Vota gjithsej.
Dr. Seladin Jakupllari 7,025 Vota
Në 2025 PD dhe LSI bashkë = 8,776 që i bie PD vetë ,6,000 vota.
Genti Çela 2,880 Vota
Tani me këtë rezultat a duhet të jemi krenarë për rezultatin më të dobët të arritur nga PD Pogradec?
A kemi nxjerrë ndonjë mësim?
Sa kontriboi legjenda? Sa kontriboi Drejtuesi i qarkut që nuk bëri një ditë fushatë në PG? Po fushata në FB a ja arriti qëllimit për fitore? Po kryesia e vjetër e re a dha kontribut në rezultatin madhështor?
Tani disa përgjigje i di pa e postuar por kam dëshirë ti shoh megjithatë…. Jepi Ani, Urim, Ilir, Fatmir, e shumë të tjerë. Por lexoni faktet. Të na rrojë Partia mbi të gjitha.“
Reagimi i Berberit ka ngjallur diskutime në radhët e demokratëve pogradecarë, duke reflektuar krizën e thellë të besimit dhe organizimit brenda kësaj force politike në nivel lokal. Kjo kritikë vjen në një moment kur kërkohet ringritje dhe analizë e sinqertë për të ardhmen e opozitës në këtë zonë.

