Dy sportistë të ekipit Pogradeci Kung Fu, Fabio Mancellari dhe Henri Topi, morën pjesë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të arteve marciale të përziera (MMA) në Athinë, organizuar nga prestigjiozët QUEST.
Në një mbrëmje të mbushur me përballje të forta dhe emocione të shumta, sportistët pogradecarë dhanë maksimumin, duke arritur një paraqitje dinjitoze dhe duke u renditur në vendin e dytë. Pavarësisht se nuk arritën titullin kampion, performanca e tyre mbeti në nivel të lartë, duke treguar edhe një herë aftësitë dhe përkushtimin e ekipit në arenën ndërkombëtare.
Një tjetër lajm i rëndësishëm për Pogradeci Kung Fu ishte ftesa e marrë për të konkurruar në Kampionatin Europian, i cili do të zhvillohet këtë verë jashtë Shqipërisë. Detajet e mëtejshme për këtë event pritet të bëhen publike së shpejti, ndërsa ekipi tashmë po përgatitet për sfidën e radhës.
Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për sportin e arteve marciale në Pogradec, duke dëshmuar se talenti dhe përkushtimi i sportistëve shqiptarë po gjen gjithnjë e më shumë hapësirë dhe vlerësim në arenën ndërkombëtare.