Dy ngjarje të njëpasnjëshme në Korçë kanë tronditur opinionin publik ditët e fundit, duke rikthyer në vëmendje një nga plagët e mëdha shoqërore vetminë e të moshuarve.
Policia njoftoi se dy persona të moshuar, të cilët jetonin të vetëm, u gjetën të pajetë në banesat e tyre. Në rastin e parë, bëhet fjalë për një 60-vjeçar, i cili dyshohet se kishte ndërruar jetë që në muajin dhjetor, por trupi i tij u zbulua vetëm pas shumë javësh. Pak ditë më vonë, u evidentua edhe rasti i një 70-vjeçari, i cili gjithashtu jetonte pa asnjë mbështetje pranë.
Dy jetë të ndryshme, por të bashkuara nga e njëjta tragjedi: vetmia dhe mungesa e kujdesit familjar e institucional.
Ekspertët e fushës sociale e lidhin këtë fenomen me emigracionin masiv të brezave të rinj, por edhe me një indiferencë në rritje të shoqërisë ndaj pleqërisë. Punonjësi social Kostika Zdruli thekson se raste të tilla nuk janë të izoluara, por tregojnë për një problem që thellohet vit pas viti.
Në qarkun e Korçës funksionon një qendër për të moshuarit, e vetmja e këtij lloji në rajon, ku çdo vit shtohen aplikimet për strehim. Shumë nga këto kërkesa vijnë nga fëmijë që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk kanë mundësi të kujdesen personalisht për prindërit e tyre.
Megjithatë, kapaciteti i kësaj shtëpie është vetëm 31 persona, një shifër tepër e vogël përballë nevojës reale. Të moshuarit që mbeten jashtë këtij institucioni shpesh përballen me një përditshmëri të rëndë, ku vetmia është bashkëshortja e tyre e vetme.
Këto dy raste të fundit në Korçë janë një kambanë alarmi për institucionet shtetërore dhe pushtetin vendor, të cilat duhet të marrin më shumë përgjegjësi, jo vetëm për të evidentuar të moshuarit në nevojë, por edhe për t’u ofruar atyre mbështetjen e duhur sociale dhe psikologjike.
Ato janë gjithashtu një thirrje për shoqërinë, që të mos i lërë në harresë ata që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite, por të krijojë ura solidariteti, duke e bërë pleqërinë një etapë më të denjë dhe më humane.