Pini raki mani dhe i buzëqeshni jetës, në Boboshticën me tradita dhe histori e kanë gjetur ‘ilaçin’ përtëritës kundër braktisjes…
Ata të paktë banorë që kanë mbetur në Boboshticë krenohen me historinë e fshatit të tyre. Në defterin e Korçës dhe Përmetit të vitit 1431, Boboshtica numëronte 80 shtëpi dhe 200 mana, ndërsa Korça 26 shtëpi. Kërkimet për origjinën e banorëve vijojnë ende, fakt është që shumica e tyre sot janë vllehë.
Kushdo që vjen në fshatin 7 km larg Korçës, para se të njihet me historinë, duhet të tokë gotat me vendasit që shquhen për rakinë e manit. Vetëm më pas mund të nisë shëtitja nëpër pikat turistike që nuk duhen humbur.
Boboshtica është një destinacion i rëndësishëm turistik i Korçës, me një pozicion kodrinor-malor. Dallohet për një natyrë me ajër dhe ujëra të pastra, bimësi të larmishme me shkurre, drurë shumëshekullore frutorë, dushk dhe halorë, si edhe shumë bimë medicinale.
Para se diktatura komuniste të shkatërronte gjithçka, Boboshtica kishte 13 kisha dhe 3 manastire të rëndësishme.
Kisha e parë që na sugjeron të vizitojmë kryeplaku i fshatit Kostandin Xhoxhi është ajo e Shën Jovanit. Duke u mbështetur në teknikën e ndërtimit, materialin e përdorur për ndërtim dhe nga të dhënat e tjera, mendohet se kisha është ndërtuar gjatë gjysmës së dytë të shek.XIV.
Kisha e “Shën Dhimitrit” gjendet në perëndim të fshatit Boboshticë të Korçës. Ajo i përket shekullit të XVII-të.
Një prej këtyre vendeve të shenjta, që njohu egërsinë e sistemit ateist, ishte dhe kisha e Shën Nikollës (Shën Kollit), nga e cila shpëtoi vetëm kambanorja, që ishte kthyer në stacion elektrik.
Boboshticën shumica e turistëve vendas e të huaj e njohin kryesisht për kulinarinë e pasur. Madje vetë banorët thonë me mburrje se ngado të shëtisin, vizitorët të ngrënët e duan nga duart e boboshtarëve. Mish, lakror në saç, petanik, petulla e sallata të ndryshme janë disa nga gatimet tradicionale të zonës.
Por kryeplaku i fshatit këmbëngul edhe në njohjen e kulturës së banorëve.
Nga Boboshtica e ka prejardhjen edhe Viktor Eftimiu, poet me 60 mijë vargje të botuara, prozator me disa romane e vëllime me tregime, dramaturg me shumë pjesë të vëna në skenë, në teatrin e Bukureshtit dhe më pas disa syresh u përkthyen në gjuhën shqipe, u botuan dhe u vunë në skenë edhe në Tiranë.
Në mur tregohen copëza nga jeta e boboshtarëve ndër vite. Ndër to shohim se si është festuar festa tradicionale e Rosicave.
Edhe pse duken të vetmuar e të harruar, shpesh herë me sytë nga rruga në pritje të fëmijëve dhe nipërve, për të cilët thonë se kanë mall ti shohin në rrugët e fshatit, boboshtarët e kanë gjetur ilaçin e lumturisë: pini raki mani e buzëqeshini jetës!
Sqarim: Shkrimi i marë nga Shqiptarja.com