Nga: Meti Fidani
Tre ditë në mëgrim për rrobat e grekut, si ishin ikjet e para të shqiptarëve në Greqi.
Kloni filloi të bëhej vrima-vrima… Turmat e devollinjve nuk përmbaheshin. Burra, gra, fëmijë, kush të mundte të dilte në botën kapitaliste, një botë të cilës i dërgoi një vapor me grurë shoku Enver.
Se kapitalizmi po vdes për bukë na thanë. Shqipëria, ky fener ndriçues në botë, me në krye partinë heroike çan bllokadën.
Ishim shumë devollinj. Me qindra. Mësuam përmendesh vetëm dy fjalë: Psomi dhe Ruka, (bukë dhe rroba). Lipsare në fshatrat tej kufirit. Grekët na jepnin ç’të mundnin. U vinte keq që na shihnin ashtu. Fytyrat tona ishin si mish i tymosur. Dhe ishim shumë.
Edhe kishat i hapën hambaret e tyre. Por u zbrazen shpejt, mbasi nuk ishim një e dy. Turma e devollinjve ndahej në tufa të vogla. Shumica e tufave kërkonin në vendet e grumbullimit të plehrave të çdo fshati.
Preferonim shishe koka-kolash, bidona detergjentësh, lodra fëmijesh, veshje, radio, çfare nuk mblidhnim. Pa e ditur se gjithë ai thes duhej çuar përsëri në Devoll.
Nata binte, dhe fushimi ishte nga kodrat mbi fshat. Grupe grupe dhe secili grup kishte zjarrin e tij. Ishte Prill, por dimri nuk ishte dorëzuar akoma. Flinim të mbeshtjellë me batanijet, apo veshje të trasha që na kishin dhënë grekët ose i kishim gjetur në plehrat.
Kush e kishte mbushur thesin, do nisej të nesërmen për në Devoll. E ikura kishte dhe hallet e saj me vehte. Shumica e atyre që hynë në Greqi, punonin tokat e kooperatives me bel, matanë klonit. Ishin buze kufirit dhe u hodhën në shtetin fqinj. Belat i lanë të ngulur në tokë.
Por në të kthyer duhet kaluar kloni. Përballje me kufitarët tanë. Ata ta marrin thesin pa një pa dy, se kanë armën. Bile për të pabindurit të lëshojnë edhe qenin e kufirit. Por edhe mund të qëllojnë dhe të vrasin…Ku i dihet.
Nga njësi kufitare ishin kthyer në banda. Të merrnin me forcë gjithçka që kishe grumbulluar, kishe blerë, apo dhuruar nga grekët.
E keqja jonë na vjen prej vetvetit ka thënë një shqiptar i mençur. Ushtarët apo policia greke na linin të lirë, ndërsa tanët na grabisnin.
Kalimi i kufirit për në kthim duhej bërë vetëm natën. Edhe unë dhe dy shokët e mij të ngushtë natën pritëm. Bile binte shi përzierë me dëborë. Por ushtaret na ndjenë e na ndoqën, duke zbrazur edhe armë. Rreth dy kilometra vrap por çfarë vrapi. Dhe të ngarkuar.
Të nesërmen arita në shtëpi..E çfarë nuk kishte brenda thesi im. Të nevojshme e të panevojshme. Mes të tjerave edhe një shishe koka kola 1,5 litroshe. E vumë në bufenë tonë shtatmijshe për zbukurim. Plakat e mëhallës vinin të shikonin se ç’kisha sjellë unë nga kurbeti.
Greku i hapi kufijtë, kur ne ishim në kufijtë e mbijetesës, kur komunizmi po na çonte drejt greminës. Populli grek hapi zemrën për ne të paparët. Me atë ritëm banorët e fshatrave ndërkufitare të dy shteteve do kishin hyrje-dalje të lira, pa përdorur doganat kufitare.
Por, tregojnë se një fshatar dikur gjeti një gjarpër të ngrirë në mullarin e tij të kashtës. E mori gjarpërin brenda në shtëpi, e ngrohu pas zjarrit dhe gjarpëri u ngjall. Mbasi u ripërtërit mirë e mirë, gjarpëri e sulmoi fshatarin për ta kafshuar.
Edhe ne, të pangrënet e të paparët pak nga pak u bëmë tamaqarë, kusarë, grabitqarë. Jo të gjithë sigurisht.
Rrobat e trupit të ndera nëpër obore rrëmbenim, shtëpi bastisnim, bagëti, kisha. E kam parë vetë shqipfolsin me një frigorifer të madh në kuriz. Ka kaluar male me frigorifer të vjedhur, derisa e çoi në shtlpi. Edhe mushkë të ishte do kishte ngordhur.
Në këto kushte Greqia vuri në përdorim ushtrinë dhe pasojat dihen. Nuk është e nevojshme të zgjatem. Ndoshta kishin edhe të drejtë…