-Kur nisi puna për tharjen e kënetës u hap dhe burgu i Vloçishtit. Sipas shumë ish-të burgosurve thuhet se kushtet ishin shumë të këqija, mizerje. Në pranverën e vitit 1948 në kampin e famshëm të Vloçishtit të Korçës, që u emërua si “kampi i vdekjes”, u mblodhëm 1200 të burgosur nga burgjet e Korçës, Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, 90% e të cilëve ishin për faje politike. Shumica e këtyre ishin avokatë, profesorë të shkollave të mesme, mjekë, studentë, ish-oficerë eprorë, ish-nëpunës, tregtarë, priftërinj katolikë, hoxhallarë dhe baballarë bektashinj. Banesën e kishin në disa baraka, ku shiu i tërë hynte nga brenda. Për fjetje kishin vetëm nga një batanije, pasi u ishte thënë që për mungesë automjetesh, nuk mund të merrnin tesha të tjera. Si ushqim u jepnin makarona nga më të këqijat dhe në verë kunguj e speca. Por në 10 veta nuk mund të mbushje një lugë me makarona. Pjesa tjetër ishte ujë i ngrohtë. Të 1200 vetat kishin si racion 4 litra vaj në ditë, ndërsa secili nga 600 gram bukë misri. Në mëngjes një ujë të ngrohtë, pa sheqer në vend të çajit. Ky ishte ushqimi special në bazë të të cilit duhej të tejkaloheshin normat e caktuara që ata të jepnim rendiment më tepër për ndërtimin e vendit. Njëkohësisht kjo ishte një provë e re se ata ishin penduar për fajet e kryera kundër komunizmit. Dilnin me numërim në punë dhe me numërim hynin. Në kënetë futeshin zbathur. Kishte shushunja që u pinin gjakun. Kush pinte duhan i largonte pasi afronte cigaren tek koka e tyre. Kishte raste që ai që e ndizte, e thithte vetëm njëherë, se ua jepte shokëve për të larguar shushunjat (piavicat).
Panxhari i gjallë
Për të mbajtur shpirtin gjallë, shumica e të burgosurve mundoheshin të gjenin ndonjë copë panxhar ta hanin të gjallë. I hanin të gjallë, se ishin të ëmbël, se shpirti u ishte bërë helm. Shumë herë kur polici i gjente me panxhar në gojë turrej drejt tyre për t’ua rrëmbyer. Ka pasur raste që nga goditjet dhe nga dëshira për të kafshuar një panxhar, të burgosurit hidheshin mbi njeri-tjetrin.
Tentimi për arratisje
Në këto kushte shumë dëshironin që të arratiseshin. Por ishte tejet e vështirë kjo nismë, ishte thuajse e pamundur. Por disa donin më mirë vdekjen se atë torturë çnjerëzore. Një ndër ata që donte të arratisej ishte dhe Muharrem Xhixha nga Kruja, i cili u vra pse kaloi argjinaturën e kanalit. Ai në fakt kaloi për nevoja personale, që nuk donte t’i kryente në sy të shokëve e u shkëput pak më tej. Por, polici kujtoi se mos arratisej dhe e qëlloi me armë zjarri. Virtyt Dylbegaj nga Elbasani u vra afër telave të kampit. Avokatit Qani Sulejmani i thyen krahun me lopatë, se nuk bënte normën. Me bel preu këmbët koloneli Sulejman Vuçitërna që vdiq në kamp.
Grupi i parë i sabotatorëve
Në grupin e parë të sabotatorëve bëjnë pjesë rreth 80 ish-nxënës që kishin studiuar në shkollën e mesme teknike “Harri Fulc”. Me dënimin e tyre, u goditën ashpër shtresat e kuadrot e lidhur me idealin e demokracisë perëndimore përmes instalimit të luftës së klasave në Shqipëri, duke goditur kështu shtresat e pasura dhe të shkolluara. Ky veprim shprehte se qeveria në pushtet po zhdukte njerëzit e kualifikuar e të arsimuar me orientim nga kultura demokratike perëndimore që përbënin shtresën nga e cila mund të formohej elita e së ardhmes në vend. Qëllimi i këtij procesi gjyqësor ishte jo vetëm asgjësimi i këtyre intelektualëve për të shmangur rrezikun për instalimin e regjimit komunist, por edhe nënshtrimi i qeverisë shqiptare para Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ), pasi asokohe, qeveria e Tiranës propagandonte miqësinë me Jugosllavinë dhe bashkimin me të. Në një klimë të tillë politike, propagande dhe ndërtimit të një strukture shtetërore të drejtuar nga Partia Komuniste, si: Sigurimi i Shtetit dhe Gjykatat Ushtarake, të cilat konsideroheshin si grushte të hekurta të sistemit kundër “armiqve të regjimit”, nis gjyqi i famëkeq kundër inxhinierëve. Bazuar në pëmbajtjen e dosjeve të këtij gjyqi, Sigurimi i Shtetit përdor emërtimet të llojit: tekniko-kriminale, organizatë agjenturore, organizatë tekniko-sabotatore, etj që qartazi tregojnë forma të propagandës. Gjithashtu, Sigurimi sajoi që inxhinierët u bashkuan dhe u lidhën me njëri-tjetrin kundër sistemit dhe bonifikimit të kënetës. Në kushte të vështira, torture dhe presioni, të pandehurit pranuan se një sabotatim i tillë ishte kryer me qëllime jo vetëm ekonomike, por dhe politike. Ata deklaruan se i kishin ndarë detyrat sabotatore, me porosi të Harri Fulcit, mes tyre, ku Abdyl Sharra do të sabotonte “punët në kanal”. Procesi gjyqësor i tyre filloi më 8 nëntor 1946 dhe zgjati 10 ditë.
Grupi i dytë i sabotatorëve
Pas përfundimit të gjyqit më 8 nëntor 1946, Sigurimi i Shtetit kishte në plan të godiste një grup tjetër sabotatorësh dhe kundërshtarësh të regjimit komunist. Këtë herë, Sigurimi po punonte të zbulonte sabotatime të tjera në qarqe të ndryshme në Shqipëri, lidhjet që grupi i parë kishte me pasur më parë. Kështu, më 29 tetor 1946, organet e Sigurimit arrestuan inxhinierin Aleks Vasili, gjeometrin Mirush Përmet, gjeometrin austriak Hans Vala, etj. Ata akuzoheshin për të njëjtat arsye si grupi i parë, si armiq të popullit, sabotatorët e pushtetit dhe anëtarë të grupit të inxhinierëve të Maliqit. Gjyqi i tyre filloi më 21 nëntor 1946 dhe të pandehurit pranuan se, nuk kishin simpati për regjimin dhe se në Maliq, punët nuk kishin ecur si duhet. Edhe pse pranuan që kishte pasur vonesa, mungesë organizimi, se ishin fajtorë që nuk kishin folur më përpara për këto probleme në Maliq, ata nuk pranuan asnjëherë që ishin pjesë e një grupi sabotatorësh. Megjithatë, kjo gjë nuk e pengoi prokurorin të dënonte inxhinier Aleks Vasilin, gjeometër Mirush Përmetin, etj., me 30 vite burg.
Gazeta “Bashkimi”, 19.6 1946
“Bashkimi”, dt. 19.6 1946, f .1 shkruan: “Nga puna e vullnetarëve në Maliq… në 5 ditët e fundit janë gërmuar 19. 796 m/3 dhe… flamurin e punës këto ditë e kanë pasur udhëtarët e Leskovikut e të Pojanit… Doli buletini i kantierit, “Maliqi”… Vullnetarëve u vijnë përditë ushqime dhe letra lavdërimi nga populli… Çdo ditë punonin mesatarisht 2600 punëtorë vullnetarë, ndërsa punëtorët me mëditje bënin edhe 3 orë punë vullnetare shtesë. Në kantier u ngritën dy barka të reja për punëtorët dhe një klub për edukimin e tyre…”
Dëshmitarët që kanë shkuar vullnetarë në Maliq e dinë mirë se çfarë kanë vuajtur nga mungesa e ushqimit, mushkonjave dhe kushtet tmerrësisht të vështira në qëndrimin atje, vetëm për të ashtuquajturin titull sulmues.
Euforia ndihet e pranishme deri në datën 20.7. 1946, kur në gazetën “Bashkimi” shkruhet: “Në kantierin e Maliqit erdhën 99 vullnetarë nga Vlora. Midis tyre shquhen edhe 30 gra. Populli i Kolonjës përveç vullnetarëve që ka dërguar në liqenin e Maliqit u ka dhuruar punëtorëve të këtij kantieri 61 krerë bagëti, 90 kg djathë, 40 kg gjizë dhe 15 kg gjalpë e kështu vazhdojnë ndihmat nga Pogradeci nga Vithkuqi, Bilishti, Leskoviku dhe nga tërë katundet e Korçës. Njerëzit ishin tepër të gëzuar.” Në gazetën “Bashkimi” dt. 20.7.1946 shkruhet: “Në Maliq filluan punimet për thellimin e sistemimin e kanalit… Ardhja e njësiteve sulmuese i jep punës një vrull të ri. Këto ditë filluan punimet për mbylljen e shtratit të lumit Devoll… Grupi i teknikëve të Ministrisë së Punëve Botore është duke bërë studimin e kënetës për kanalin që do të ketë një gjatësi prej 2500 m dhe një gjerësi prej 35 m. Edhe në gurore punojnë 336 punëtorë me ritme të shpejta dhe me bazë garash, kudo ka një hov të ri. Midis të gjithë njerëzve që punojnë me entuziazëm dy sulmuesve i hiqen shenjat që nuk arrijnë të bëjnë punën e tyre. Nga 2350 punëtorë që punojnë në kanal deri mesatarisht 3 m3 gërmim e transportim dheu flamurin e ka mbajtur një skuadër nga grupi i Vlorës për 5 ditë.”
NGA: ALBERT Z. ZHOLI
Vazhdon …