Tiranë – Deputeti i Partisë Socialiste nga Pogradeci, Bledi Çomo, ka marrë një rol të ri dhe të rëndësishëm në punën e Kuvendit. Në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të PS-së, ku u përcaktuan drejtuesit e komisioneve dhe u votuan anëtarët e këshillave kryesorë, Çomo u zgjodh anëtar i Këshillit të Rregullores dhe Mandateve si edhe i Këshillit të Legjislacionit.
Në një reagim publik, ai u shpreh i vlerësuar për këtë detyrë të re, duke theksuar se do ta ushtrojë me përkushtim dhe përgjegjësi.
“Jam i nderuar për zgjedhjen time në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, një përgjegjësi që e marr me përkushtim, duke falënderuar kolegët për besimin,” – shkroi Çomo në rrjete sociale.
Deputeti pogradecar, i cili prej pak muajsh është pjesë e Kuvendit, shtoi se puna e tij do të përqendrohet në përmbushjen e misionit të përbashkët politik për vizionin “Shqipëria 2030”, duke uruar suksese të gjithë kolegëve në këtë rrugëtim.