Burimi: Revista Monitor
Fshati Rehovë, me ofertën e autentikes, kulinarisë dhe mikpritjes, ka hapur dyert e shtëpive për të pritur prej një dekade e gjysmë mijëra turistë që vijnë nga anembanë botës. Këtë model të zhvillimit të qëndrueshëm po e mbajnë gjallë vetëm 8-9 familje rehovare dhe zonjat e tyre meraklie. Por që tradita të vazhdojë, ka nevojë për mbështetje
Nertila Maho
Gjarpërimi i rrugës hyrëse në fshat, ku të dyja anët në një pjesë të saj janë të veshura me pemë të larta, zbulon krejt papritur fshatin Rehovë. Këtë qershor, pavarësisht pemëve të larta në këto zona, dielli djeg si saç dhe ty të duhet të nxitosh të kërkosh shpëtim nën hije ku të mundesh.
Ajo që të mirëpret e para është “Porta e Rehovës”, një hyrje e kuruar në detaj me punime guri dhe një pikë informacioni që edhe pse i ka të gjithë pajisjet e një zyre nuk ka askënd brenda, ndoshta edhe sepse është e shtunë.
Të vetmen gjë që të tregon kjo “kuti” xhami janë posterat e afishuar, që kanë informacion mbi fshatin, bujtinat apo vlerat e zonës.
Pamje nga fshati Rehovë, në Kolonjë
Estetikisht kjo hyrje është mikpritëse për syrin, por aspak për këtë pisk vape ku stolat janë krejtësisht në një shesh të zbuluar dhe i nxehti të përplaset fytyrës.
Teksa nis ngjitjen, fshati ka një qetësi të jashtëzakonshme ku e vetmja gjë që të bën të kuptosh që aty ka banorë janë oborret e pastër, ballkonet e rregulluar për merak, lulet e shumëllojshme, kopshtet e gjelbëruara nga kulturat e zarzavateve apo perimeve të ndryshme.
Vetvetiu për një destinacion turistik, pritshmëria është të ketë pak më shumë gjallëri, por Rehova duket se është një model tjetër turizmi, ai që të fton në qetësinë, thjeshtësinë dhe arkitekturën e veçantë të rrugicave, mureve e shtëpive të gurta, familjeve me tradita.
Një oaz që të shkëput nga zhurma urbane, që këto vitet e fundit, edhe prej rritjes së interesit turistik ndaj Shqipërisë, është e vështirë ta gjesh.
Është një model që ka në thelb mikpritjen e fshatit dhe ku familjet rehovare kanë hapur dyert, duke të dhënë as më pak e as më shumë sesa jetesën e tyre fisnike, duke ndarë bukën, shtëpinë dhe përditshmërinë autentike që ende nuk ka rënë pre e komercializimit që ka sjellë koha që ecën shpejt.
Zonjat e fshatit mbajnë peshën kryesore të kësaj tradite turistike që zhvillohet prej një dekade e gjysmë, e cila ka fituar sidomos vëmendje viteve të fundit.
Ato kujdesen për shtëpitë, gatimet dhe mikpritjen e mysafirëve që në fund dalin të mrekulluar nga një përditshmëri dhe traditë jotipike në vendet e tyre.
Në disa raste duan të qëndrojnë një apo dy net në fshat e në të tjera thjesht drekojnë ose darkojnë në shtëpitë që i mirëpresin.
Modeli i Rehovës
Zonjat e fshatit mbajnë peshën kryesore të kësaj tradite turistike që zhvillohet prej një dekade e gjysmë, e cila ka fituar sidomos vëmendje viteve të fundit. Ato kujdesen për shtëpitë, gatimet dhe mikpritjen e mysafirëve që në fund dalin të mrekulluar nga një përditshmëri dhe traditë jotipike në vendet e tyre. Në disa raste duan të qëndrojnë një apo dy net në fshat e në të tjera thjesht drekojnë ose darkojnë në shtëpitë që i mirëpresin.
Duarartat e Rehovës që ofrojnë autentiken dhe kulinarinë e zonës
Lavdërie Thomollari, shtëpi mikpritëse e turistëve (përgatitje përpara ardhjes së turistëve)
Është mesditë dhe shtëpitë me avlli guri janë në qetësi. Vendosim të trokasim në një nga dyert e shtëpive pas Kishës dhe nga brenda na vjen zëri i një zotërie. Pasi hap derën e pyesim se ku mund të gjejmë bujtinat e fshatit. I papërtuar na tregon rrugën për te shtëpia e Koço Thomollarit.
Është një nga mikpritësit më të vjetër në fshat. Derën e shtëpisë na e hap pikërisht ai, e kur i prezantohemi si gazetarë, natyra e tij me humor na thumbon me nja dy batuta shpejt e shpejt të lidhura me profesionin.
Teksa dëgjon zëra në oborr, në krye të shkallëve shfaqet edhe e shoqja, Lavdëria, apo Lavdia siç i thërrasin shkurt. Ulemi të gjithë në verandë.
Për momentin nuk kanë turistë por prisnin një grup të nesërmen, të cilët do të qëndronin një natë. Përgatitjet kishin nisur që sot teksa shëndetlija e përgatitur nga Lavdëria sapo kishte dalë nga furra dhe po priste ftohjen që më pas t’i hidhej sherbeti.
“Prej 12 vjetësh presim turistë në shtëpinë tonë. Kemi tre dhoma të posaçme vetëm për këtë. Ata që vijnë më shumë janë të huajt dhe sidomos francezë.
U pëlqen të shohin si jetojmë, si gatuajmë dhe duan të përfshihen edhe vetë në këtë jetesë në çdo detaj. Janë të thjeshtë dhe u bën përshtypje gjithçka. Ne si mikpritës nuk bëjmë asgjë më shumë sesa tradita që kemi apo forma sesi jetojmë.
U gatuaj tava, lakror, byrek, pjata të veçanta të zonës dhe janë tej mase mirënjohës dhe falënderues për kohën që kalojnë këtu”, – tregon Lavdërie Thomollari.
Koço na sjell tre blloqe ku mund të shohësh qindra “përshtypje” të shkuara me stilolaps nga ata qindra apo mijëra turistë që kanë bujtur nën çatinë e tyre, në më shumë se një dekadë.
Turistë nga SHBA-ja, nga Arabia, Izraeli, Kanadaja dhe sigurisht shumë e shumë nga Franca apo Europa në përgjithësi.
Oferta e autentikes, byreku dhe buzëqeshja janë fjalët që mbizotërojnë në çdo përshtypje që qytetarët anembanë botës kanë vlerësuar në këtë traditë mikpritëse të Rehovës.