Shkova në një pastiçeri për të blerë diçka për familjen, ndërkohë para meje ishte një mesoburrë dhe pyeti të zotin e dyqanit: Sa kushton torta më e vogël? “Dhjetë mijë lek”, iu përgjigj ai. “Po më të vogël e më të lirë, a nuk ke?”, e pyeti burri. “Më vjen keq zotëri, kjo është më e vogla dhe më e lira. Gjithësesi, mund të blesh një pastë apo një copë keku të vogël”, vijoi pronari.
“Kam nevojë për një tortë të plotë, vajza ime ka ditëlindjen dhe më porositi në mëngjes kur dola për në punë që të mos harroj të sjell një tortë kur të kthehesha në shtëpi”, tha burri ndërkohë që po numëronte çdo qindarkë që kishte nëpër xhepa. Njerëzit të cilët dëshironin të blinin u shtuan goxha dhe filluan të ankohen për vonesën. Babai i vajzës po sikletosej shumë ndërkohë që gërmonte nëpër xhepa për qindarkën e fundit.
Një moment, i zoti i dyqanit nxori telefonin nga xhepi dhe filloi të flasë me një fytyrë të lumtur: Oh shyqyr o Zot, falenderimet i takojnë vetëm atij. Pasi mbylli telefonin, tha me gëzim dhe me zë të lartë “U bëra me djalë, sapo më njoftuan nga spitali se gruaja dhe im bir janë shtëndoshë e mirë. Me këtë rast, dëshiroj që klientit të parë ti shërbej falas në nder të tim biri”.
Pastaj nxori tortën më të madhe që kishte dhe ia dha babai të vajzës: Urdhëro zotëri, është kismeti i vajzës suaj, urime ditëlindjen! Burri u prek shumë dhe fytyra iu çel nga gëzimi. U largua nga dyqani duke uruar pa reshtur: Zoti i dhëntë shëndet djalit tuaj, të ketë jetën e gjatë dhe të rritet më nënë e me babë…
Të gjithë të pranishmit e uruan të zotin e dyqanit, po ashtu edhe unë kur më erdhi radha i thashë “Të të rrojë zotëri, me jetë të gjatë”! Ai ma ktheu: Eh ti shumë faleminderit, por fëmijët e mi janë të rritur dhe asnjë lindje nuk pati sot, por e vura re se ai njeri me sedër të madhe u vështirësua dhe paratë nuk i mjaftonin. Kështu u shtira sikur mora lajmin e gëzuar dhe ia dhurova tortën në një mënyrë që të mos cënohej dinjiteti i atij njeriu!