11.5 C
Pogradec
11.8 C
Korçë
11.2 C
Bilisht
10.8 C
Ersekë
10.9 C
Maliq
12.4 C
Liqenas
Monday, April 27, 2026

Ezaurohet sipërfaqja e varrezave në Memëlisht të Pogradecit, banorët: Nga bashkia nuk është marrë asnjë masë konkrete

- Advertisement -

Mungesa e hapësirës në varrezat publike të fshatit Memëlisht, vetëm 5 kilometra nga Pogradeci, është kthyer në një shqetësim serioz për banorët e zonës. Rritja e numrit të popullsisë dhe përdorimi i të njëjtës sipërfaqe edhe nga fshati fqinj Çervenakë kanë bërë që tashmë të mos ketë më vend për varre. Në mungesë të alternativave, banorët janë detyruar që varrimet t’i kryejnë në hapësirat e mbetura brenda territorit të varrezave, madje edhe në rrugën e brendshme.

Sipas banorëve, situata po rëndohet nga dita në ditë. Ata theksojnë se, pas mbushjes së hapësirës aktuale, si alternativë nga institucionet mund t’u ofrohet kryerja e ceremonive mortore në varrezat e fshatit Gurras, mbi 10 kilometra larg. Ndërsa të tjerë shprehen se, me këto ritme, mund të lindë nevoja që varrimet t’i kryejnë secili në tokat e tyre bujqësore.

Kërkesa për zgjerimin e varrezave është ngritur edhe gjatë konsultimeve publike për buxhetin në Bashkinë Pogradec, por sipas banorëve, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Nga ana tjetër, Bashkia Pogradec pranon problematikën dhe bën me dije se çështja është në proces. Sipas përfaqësuesve të saj, aktualisht po hartohet projekti dhe studimi përkatës, i cili përfshin edhe analizën gjeologjike për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet. Pas përfundimit të këtij procesi, do të përcaktohet vlera mesatare e pronave dhe do t’u ofrohet çmimi pronarëve, ndërsa më pas projekti do të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak, për të vijuar me procedurat e blerjes së tokës.

Megjithatë, institucioni vendor nuk jep një afat konkret se kur do të realizohet zgjerimi i varrezave, ndërsa për banorët, zgjidhja kërkohet të jetë emergjente.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit