Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë në Tuminec të Bashkisë Pustec në ceremoninë përkujtimore kushtuar heronjve maqedonas të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në fjalën e tij, Mickoski u ndal te rëndësia e kujtesës historike, duke theksuar se monumenti në Tuminec është dëshmi e sakrificës, qëndresës dhe ruajtjes së identitetit kombëtar maqedonas ndër dekada.
Ai tha se maqedonasit në Shqipëri janë pjesë e pandashme e trungut kombëtar maqedonas, por njëkohësisht qytetarë besnikë të Shqipërisë, duke vlerësuar rolin e tyre në ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës.
Mickoski bëri thirrje për unitet mes maqedonasve, duke nënvizuar se, pavarësisht dallimeve politike apo pikëpamjeve të ndryshme, kur bëhet fjalë për interesat kombëtare, historinë dhe të ardhmen, duhet të mbizotërojë bashkimi.
Në fund të fjalës së tij, Mickoski theksoi se lufta e brezave të mëparshëm duhet të vijojë sot me mjete të reja, përmes arsimit, zhvillimit ekonomik, ruajtjes së dinjitetit kombëtar dhe respektit për historinë.

