Në Universitetin e Korçës u zhvillua një aktivitet i rëndësishëm akademik kushtuar prezantimit të “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe”, një vepër që konsiderohet ndër projektet më të mëdha shkencore dhe kulturore të realizuara për gjuhën shqipe në vitet e fundit.
Të pranishëm në këtë veprimtari ishin akademikë, pedagogë, studiues dhe përfaqësues institucionesh, të cilët ndanë vlerësime për rëndësinë që kjo vepër ka për ruajtjen, pasurimin dhe promovimin e gjuhës shqipe.
Në fjalën e saj përshëndetëse, sekretarja shkencore e Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Anila Hoda, u shpreh se “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” përfaqëson një vlerë të çmuar për të gjithë shqiptarët, por edhe për studiuesit e huaj që merren me gjuhën shqipe. Ajo theksoi se kjo vepër është jo vetëm një botim shkencor, por edhe një monument kulture që dëshmon pasurinë dhe forcën e gjuhës sonë.
Nga ana tjetër, rektori i universitetit, Lorenc Ekonomi, tha se “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” është një arritje me rëndësi të veçantë akademike dhe kombëtare, tashmë e aksesueshme edhe në platformë digjitale. Ai theksoi se përmes kësaj vepre pasqyrohet në mënyrë të plotë pasuria leksikore, larmia dhe bukuria e gjuhës shqipe.
Moderatori i aktivitetit, profesor Olger Brame, e cilësoi këtë prezantim si një moment të rëndësishëm për kulturën kombëtare shqiptare. Ai u shpreh se gjuha mbetet atdheu i parë i shqiptarëve dhe se ky fjalor garanton ruajtjen dhe pasurimin e saj për brezat e ardhshëm.
Sipas organizatorëve, aktiviteti iu dedikua rëndësisë së dokumentimit të gjuhës shqipe dhe rolit që ka kjo vepër në forcimin e identitetit kulturor dhe kombëtar shqiptar.

