Banorët e fshatit Pirg, në bashkinë Maliq, po përballen me vështirësi serioze për shkak të mungesës së hapësirave për kullotë dhe aksesit në ujë. Ata e lidhin këtë problem me zbatimin e paketës së maleve, e cila sipas tyre ka sjellë kufizime të reja në përdorimin e tokave që tradicionalisht i kanë shfrytëzuar.
Blegtorët thonë se për dekada me radhë kanë kullotur bagëtitë në këto zona, por vitet e fundit sipërfaqet janë rrethuar dhe nuk lejohen më të përdoren. Përveç kësaj, ata pretendojnë se edhe burimet ujore janë bllokuar, duke e bërë të vështirë furnizimin me ujë për kafshët.
Rreth 15 familje në këtë fshat mbështeten te blegtoria si burim kryesor të ardhurash dhe e shohin situatën aktuale si rrezik për mbijetesën e tyre. Në mungesë të kullotave të përshtatshme, ata detyrohen t’i çojnë bagëtitë në zona të papërshtatshme, si brigjet e lumenjve, duke rrezikuar edhe ndëshkime nga autoritetet kur shkelin kufizimet.
Sinkrone:-Gramoz Dangolli
Arjanit Dokolli
Në bashkinë Maliq janë regjistruar mbi 100 kërkesa nga persona që duan të përfshihen në paketën e maleve.
Ndërkohë sipas banorëve, problemet kanë nisur disa vite më parë, por së fundmi janë bërë më të theksuara. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për të gjetur një zgjidhje, pasi në të kundërt rrezikojnë të heqin dorë nga aktiviteti i blegtorisë.

