Gëzim Topçiu:
“Një situatë e vështirë, jo vetëm për ne si institucion, por për të gjithë qytetarët e Maliqit, të cilët shprehin ngushëllimet për familjen. Shpresojmë që vajza të bëhet mirë; i urojmë shërim të shpejtë dhe patjetër që bashkia do të jetë në mbështetje të familjes me të gjitha mundësitë që kemi, për ta ndihmuar financiarisht, por jo vetëm. Do të jemi çdo ditë pranë kësaj familjeje. Qyteti sot është në zi të plotë. Ngushëlloj familjen, i jap forcë në emër të pushtetit vendor dhe le të shpresojmë që vajza të shërohet.
Të gjitha shpenzimet që lidhen me ceremoninë, por edhe të tjera, do të mbulohen nga bashkia. Unë do të ndërmarr disa nisma personale me bizneset, sepse aty do të jetë ndërhyrja më e shpejtë, për të mos pritur procedurat ligjore që ndonjëherë zgjasin shumë. Rasti është i veçantë dhe ne duhet të ndërhyjmë sa të kemi mundësi. Nga informacioni që kam, familja ka qenë pjesë e shërbimit social dhe e qendrës komunitare që kemi aty. Nuk besoj se nuk kemi mundur t’u ofrojmë ndihmën e nevojshme — rasti është fatkeq. Ne kemi shumë raste të ngjashme që i trajtojmë dhe i mbështesim, dhe kështu do të vazhdojmë.
Këto raste nuk janë vetëm një detyrim ligjor, por duhet të jenë kambanë alarmi për të gjitha institucionet. Ky do të jetë një rast që do të na japë forcë edhe më shumë për të marrë masa më të rrepta dhe më të gjera për t’i mbështetur.”

