Dëshmia e Xhemile Kaparit, dëshmitarja e parë e ngjarjes që gjeti dhe ndihmoi vajzën e vogël:
“Unë dola të hidhja plehrat, edhe ajo çupka qante… qante në oborr. Shkoj atje dhe shoh, ajo dukej sikur ishte futur në kazan, e tëra e nxirë.
Thërras komshiun lart dhe i them: ‘Hajde shpejt, shiko çfarë ka ndodhur!’ Më dridhej trupi, nuk shikoja dot.
Kur vajtëm, komshiu tha: ‘Kjo është e djegur! Si ka mundësi, është në mes të oborrit?!’
Hapëm derën me këmbë. Djali ishte i shtrirë barkas, me këmbë dhe krahë hapur. Thashë: ‘Ka vdekur.’
Nuk e dinim që edhe nëna ishte brenda – e gjeti policia dhe zjarrfikësja.
Vajtëm dhe ngritëm çupkën. Ishte një kuvertë atje jashtë dhe e mbështollëm. Asaj i binin flokët dhe kishte plagë nga djegiet.
Ata ishin me autizëm; vajza nuk fliste, as nuk ecte, ndërsa djali ecte, por nuk fliste. Djali ishte i vdekur në korridor, ndërsa vajza qëndronte ulur. Nëna ishte brenda.
Kishin vështirësi ekonomike, me dy të sëmurë në shtëpi. Kempi 200 mijë lekë nuk u mjaftonte. I ndihmonim dhe i flisnim të ëmës, se ishin dy — një s’e mban dot, jo më dy të sëmurë.
Ndihmohej, por me aq lekë sa merrnin, as për bebelina nuk u dilnin. Djalin e çonte në një qendër, ndërsa vajzën jo.”

