Pogradec – Rruga pranë varrezave të Starovës, vetëm 704 metra e gjatë, por prej vitesh e harruar nga institucionet
Një segment i shkurtër, vetëm 704 metra i gjatë, por me rëndësi jetike për qarkullimin e qytetit të Pogradecit, ndodhet prej vitesh në harresë totale. Bëhet fjalë për rrugën ngjitur me varrezat e Starovës, e cila shërben si një pikë alternative lidhëse në rastet kur trafiku në qendër të qytetit bllokohet.
Banorët e zonës kanë dërguar një denoncim publik, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Pogradec, pasi rruga nuk është asfaltuar asnjëherë dhe ndodhet në gjendje të mjerueshme. Gjatë verës, banorët mbyten nga pluhuri, ndërsa në dimër rruga kthehet në baltë dhe gropa, duke u bërë e pakalueshme për këmbësorët dhe automjetet.
Sipas tyre, pavarësisht se segmenti është i shkurtër dhe mund të rregullohej lehtësisht, asnjë investim nuk është kryer ndër vite, ndërsa rrjedha e lartë e mjeteve e përkeqëson më tej situatën. “Për një rrugë kaq të vogël, do të mjaftonte një ndërhyrje e thjeshtë, por duket se asgjë nuk lëviz pa zhurmë e presion publik”, thonë banorët.
Ata kërkojnë që Bashkia ta përfshijë këtë rrugë në listën e ndërhyrjeve prioritare, duke theksuar se situata aktuale jo vetëm pengon qarkullimin, por ndikon në shëndetin dhe cilësinë e jetesës së banorëve.
Në fund të denoncimit, një prej banorëve ka dërguar këtë mesazh të plotë, duke përshkruar gjendjen në terren:
“Përshëndetje. Do ju lutesha të bëni publike këtë problematikë për t’i sjellë në vëmendje Bashkisë rrugën më poshtë. Rruga ngjitur me varrezat e Starovës është lënë në harresë. Rruga është pikë kyçe në periudha trafiku kur qyteti bllokohet. Kjo rrugë nuk është shtruar asnjëherë dhe në verë të mbyt pluhuri, ndërsa në dimër balta. Ka qarkullim të lartë të mjeteve dhe për ne banorët që jetojmë aty është e vështirë.”
Ky rast shton një tjetër shembull të moskujdesit institucional ndaj rrugëve dytësore të qytetit, të cilat, megjithëse kanë gjatësi minimale, mbeten prej vitesh burim shqetësimi dhe rreziku për qytetarët e Pogradecit.



