Skënderbeu e tregoi edhe një herë veten si skuadër pretendente për rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Me fitoren në derbin e shumëpritur të juglindjes ndaj Pogradecit, bardhekuqtë konfirmuan se janë një rival i fortë në garën për ngjitjen në Superiore. Pas katër javësh, korçarët kryesojnë Kategorinë e Parë me 10 pikë, duke lënë Laçin me 9 pikë, si dhe thyen pathyeshmërinë e Pogradecit, që pësoi golin e parë në këtë sezon. Megjithatë, fitorja në limit ndaj pogradecarëve nuk e mbulon shqetësimin e madh që ka shfaqur repartin i mbrojtjes. Përpara ndeshjes së radhës, kundër Laçit, skuadrës që ndodhet vetëm 1 pikë larg kreut, trajneri Ernest Gjoka është i detyruar të përballet me mungesa në prapavijë, si dhe alternativa të pakta në këtë sektor. Në Pogradec, stafi teknik aktivizoi në qendër të mbrojtjes dyshen Randi–Vaskuez, por dëmtimi i këtij të fundit prishi menjëherë ekuilibrat. Teknikut iu desh të improvizonte duke zbritur Shaqen në qendër dhe duke aktivizuar Zejnullarin në krahun e majtë. Por “hallet” e bardhekuqëve nuk kanë të mbaruar. Edhe Shaqe u dëmtua në fund të ndeshjes dhe me shumë mundësi ai pritet që të mos jetë i gatshëm për sfidën e radhës. Kjo situatë e ka lënë trajnerin Gjoka vetëm me një alternativë të sigurt në qendër, brazilianin Ramos, i cili nuk ishte as në grumbullim në sfidën e fundit. Rikthimi i tij duket më i domosdoshëm se kurrë, pasi stoli i Skënderbeut nuk ofron shumë zgjidhje për të mbuluar boshllëqet. Mungesa e mbrojtësve titullarë në këtë moment është një “kambanë alarmi” për Skënderbeun, që e ka të qartë objektivin sezonal, ngjitje në Superiore. Në javën e pestë kalendari i rezervon Skënderbeut një provë force ndaj një rivali direkt, ndaj suksesi në këtë rast ndaj Laçit merr një vlerë të dyfishtë. Skënderbeu kryeson, por për të ruajtur pozitat duhet të gjejë forcën për të përballuar emergjencat në mbrojtje.
PANORAMAPSORT.AL

