Parku Rinia u mbush me atmosferë festive dhe ngjyra vjeshte gjatë aktivitetit “Ekuinoksi i Vjeshtës”, ku dhjetëra fëmijë shprehën kreativitetin e tyre përmes punimeve artistike të realizuara me materiale të mbledhura nga natyra.
Ky aktivitet u shndërrua në një hapësirë ku arti, argëtimi dhe edukimi u ndërthurën, duke i afruar më shumë të vegjlit me mjedisin dhe duke i bërë ata më të ndjeshëm ndaj rëndësisë së mbrojtjes së tij. Piktura, skulptura të vogla me gjethe, lule dhe degë, si edhe instalacione të thjeshta, treguan imagjinatën dhe energjinë krijuese të fëmijëve.
Organizatorët theksuan se veprimtari të tilla jo vetëm që gjallërojnë hapësirat e gjelbra të kryeqytetit, por shërbejnë edhe si një mesazh i fortë për nevojën e ruajtjes së natyrës dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të pastër, më të shëndetshme dhe më të gjelbër.

