11.2 C
Pogradec
11.3 C
Korçë
10.7 C
Bilisht
10.1 C
Ersekë
10.4 C
Maliq
11.6 C
Liqenas
Wednesday, May 6, 2026

Filo: Turizëm gjatë gjithë vitit në Korçë, po shtohen vizitorët nga vendet fqinje

- Advertisement -

/ATSH/ Prej vitesh turizmi në Korçë ka njohur vetëm rritje. Edhe sezoni veror që lamë pas nuk bëri dallim nga ky trend, madje kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo, pohoi për ATSH-në se pati një rritje të lartë krahasuar me vitin 2024.

Kryebashkiaku Filo tha se prej më shumë se një dekade, bashkia e Korçës e ka vendosur turizmin në prioritetet e saj, si një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik dhe aktualisht nuk kemi të bëjmë më me një turizëm sezonal.

“Kjo është veçantia e Korçës. Ndryshe nga shumë destinacione të tjera shqiptare, Korça nuk ka vetëm sezon veror, ajo ka turizëm gjatë gjithë vitit”, u shpreh Filo.

Kryebashkiaku tha se ka programe dhe projekte të posaçme për promovimin, infrastrukturën, eventet dhe bashkëpunimet kulturore, të cilat e bëjnë Korçën një destinacion të qëndrueshëm e të dëshiruar për vizitorët vendas dhe të huaj.

Korça mbetet destinacioni i preferuar për vizitorët vendas, veçanërisht gjatë fundjavave. Por prej disa vitesh po vërehet një rritje të ndjeshme e vizitorëve nga vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Ndërkohë sipas të dhënave të bashkisë Korçë, çdo vit shtohet ndjeshëm numri i turistëve nga vende të tjera evropiane si Italia, Spanja, Franca, Suedia, Polonia dhe Gjermania.

Kryebashkiaku Filo tha se qyteti po tërheq vizitorë edhe nga tregje më të largëta, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Azisë, diversifikim i cili, sipas tij, e forcon imazhin e Korçës si një destinacion ndërkombëtar.

Vizitorët që mbërrijnë në qytet, kryesisht ndalen tek Pazari i Vjetër, Katedralja e Ringjalljes së Krishtit, Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit dhe bulevardi “Republika”. Ata shfaqin kureshtje për arkitekturën karakteristike të ndërtesave historike.

“Rrethinat ofrojnë përvoja të pasura e të larmishme: Voskopoja, Boboshtica dhe Vithkuqi me kishat e vjetra, natyrën dhe traditat kulinare; Dardha me turizmin malor gjatë gjithë vitit; Pogradeci, Prespa, Maliqi e Kolonja, që kompletojnë mozaikun turistik të rajonit”, thotë për ATSH, kryebashkiaku Filo.

Më tej ai përmend një numër të madh institucionesh kulturore, pjesë e një trashëgimie të pasur që ky qytet ofron për vizitorët e tij si, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, një nga më të rëndësishmit në Ballkan; Muzeu i Arsimit dhe Muzeu i fotografisë “Gjon Mili”, që tërheqin veçanërisht të rinjtë dhe turistët e huaj; Muzeu Oriental “Bratko” dhe Galeria e Artit Digjital, unikale në Shqipëri. Gjithashtu, Qendra e Artit dhe Kulturës me aktivitetet dhe festivalet e saj është kthyer në një magnet për turistët, duke forcuar identitetin kulturor të qytetit.

I pyetur për aktivitetin më të afërt që pritet të sjellë një fluks të shtuar vizitorësh në Korçë, Sotiraq Filo u shpreh se qyteti po përgatitet të mirëpresë edicionin e radhës të “Korça Serenights”, me tri net të mbushura me muzikë, art dhe atmosferë magjike.

Pas suksesit që pati “Festa e birrës” dhe “Lumina Electronic Festival”, edhe aktiviteti i radhës pritet të tërheqë një numër të madh vizitorësh, duke i shtuar edhe më shumë gjallëri jetës kulturore e turistike të qytetit. /j.p/r.e/

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit