19.9 C
Pogradec
20 C
Korçë
19.6 C
Bilisht
18.4 C
Ersekë
19 C
Maliq
20.5 C
Liqenas
Tuesday, June 9, 2026

Një çerek shekulli “Nostalgjia”! Grupi ikonë i serenatave Pogradecare mbush 25 vite…

- Advertisement -

Pogradec – Qëndra Kulturore “Lasgush Poradeci” u mbush me muzikë, emocione dhe kujtime, teksa grupi muzikor “Nostalgjia” kremtoi 25-vjetorin e tij. Prej një çerek shekulli ky emër është shndërruar në simbol të serenatës dhe këngës qytetare pogradecare, duke mbajtur gjallë një traditë që është pjesë e identitetit kulturor të qytetit buzë liqenit.

Në një atmosferë festive, të mbushur me dashuri për muzikën, artdashësit dhe bashkëqytetarët e Pogradecit shijuan një udhëtim emocional mes melodive të njohura, që kanë shoqëruar breza të tërë.

Entela Gusho, e rritur mes tingujve të “Nostalgjisë”, nuk i fshehu emocionet. Ajo theksoi se kontributi i këtij grupi shkon përtej skenës:

“Unë jam rritur me këngët e ‘Nostalgjisë’. Nuk është vetëm meritë e këtij grupi, por e të gjithë këngëtarëve që kanë qenë pjesë e tij ndër vite. Ata kanë sjellë në çdo shtëpi shpirtin e këngës pogradecare.”

Për këngëtaren Luiza Mara, “Nostalgjia” është mishërim i vetë qytetit:

“Ky grup është i lidhur ngushtë me identitetin e Pogradecit. Repertori ynë është vetëm kënga qytetare pogradecare. Ajo është rrënja jonë dhe pasaporta jonë kulturore.”

Dirigjenti i grupit, Jovan Shuke, ndau emocionin e punës së palodhur që fshihet pas çdo koncerti:

“Është e lodhshme, sepse grupi kërkon shumë përkushtim, por çdo lodhje shpërblehet kur publiku artdashës të ngre në këmbë dhe të duartroket. Ajo është lumturia më e madhe.”

Dy nga anëtarët më të dashur, Andon Çobani dhe Agim Dandallaku, ndanë përjetimet e tyre personale. Ata e konsiderojnë këngën qytetare si një energji jetike:

“Kënga pogradecare na mban gjallë. Hyrja në ‘Nostalgjia’ ka qenë një nga momentet më të bukura e të paharrueshme të jetës sonë artistike,” u shprehën ata.

Përvjetori u kthye në një festë të madhe kulturore, ku publiku u përfshi në magjinë e serenatës dhe të shpirtit qytetar pogradecar. Tingujt e “Nostalgjisë” treguan se kjo muzikë nuk është vetëm e së shkuarës, por vijon të jetojë gjallë, duke u përcjellë brez pas brezi.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit