Pogradec – Inagurimi i rrugës së shumëpërfolur Qukës–Qafë Plloçë nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku nuk ka kaluar pa reagime të ashpra nga opozita lokale. Kreu i Partisë Demokratike në Pogradec, Oligert Muçllari, ka akuzuar qeverinë për “korrupsion galopant” dhe zvarritje të pajustifikueshme që zgjatën ndërtimin e kësaj rruge për 15 vite.
Muçllari shprehet se, ndonëse është prezantuar si një investim strategjik, realiteti është shumë larg propagandës. Sipas tij, rruga e re ka një gjatësi prej 43 kilometrash, ndërsa rruga ekzistuese është 49 kilometra, çka përkthehet në një shkurtim prej vetëm 6 kilometrash.
“15 vite zvarritje dhe 260 milionë euro korrupsion galopant nga rilindja për të shkurtuar vetëm 6 km rrugë. Rruga që inauguroi sot piktori me çetën e tij është 43 km, ndërsa rruga ekzistuese 49 km,” – shkruan Muçllari në reagimin e tij publik, duke publikuar edhe një hartë orientuese që sipas tij tregon qartë dallimin minimal në distancë.
Kreu i PD Pogradec theksoi se përtej premtimeve dhe ceremonive të propagandës, investime të tilla nuk arrijnë të justifikojnë kostot e larta dhe kohën e humbur. Sipas tij, kjo është një tjetër dëshmi e mënyrës se si qeveria menaxhon fondet publike, duke i kthyer projektet infrastrukturore në “burime abuzimi dhe klientelizmi politik.”
Rruga Qukës–Qafë Plloçë, e cila ka qenë një nga projektet më të vonuara në Shqipëri, u prezantua nga qeveria si një lidhje strategjike mes Tiranës dhe juglindjes, me qëllim shkurtimin e kohës së udhëtimit drejt Pogradecit dhe kufirit me Maqedoninë e Veriut. Por për opozitën lokale, rezultati është larg pritshmërive dhe një tjetër simbol i dështimeve qeveritare në infrastrukturë.

