Policia e qarkut Korçë ka referuar në Prokurori disa materiale procedurale, duke nisur procedimin penal ndaj disa shtetasve për vepra të ndryshme penale.
Në qytetin e Korçës, shërbimet e Komisariatit kanë proceduar shtetasin E. Ç., 41 vjeç, banues në fshatin Voskop, pasi dyshohet se, për motive të dobëta, ka goditur një punonjës policie. Po ashtu, ka nisur procedim penal ndaj B. C., 19 vjeç, banues në fshatin Vashtmi, i cili dyshohet se ka kanosur me fjalë një 22-vjeçar.
Në një tjetër rast, u procedua shtetasi E. H., 55 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se i ka vjedhur celularin një 76-vjeçari. Ndërkohë, shtetasi O. T., 50 vjeç, banues në Korçë, është kallëzuar për ndezjen e pakujdesshme të një zjarri, nga i cili u dogj një sipërfaqe toke me bimësi.
Nga Komisariati i Policisë Maliq, u procedua penalisht shtetasi B. Ç., 69 vjeç, banues në fshatin Podgorie, pasi dyshohet se ka zaptuar një sipërfaqe toke që i përket një 58-vjeçari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë gjykatave përkatëse, për veprime të mëtejshme ligjore.

