4.3 C
Pogradec
3.3 C
Korçë
3.2 C
Bilisht
1.7 C
Ersekë
2.6 C
Maliq
4.6 C
Liqenas
Saturday, January 17, 2026

Çërravë/ “Bregu i Lëndinave” që do të “pushtojë” Bashkia, për interesa të biznesmenëve, me lidhje të zyrtarëve lokalë…

- Advertisement -

Bregu i Lëndinave në fshatin Çërravë të Pogradecit është prej dekadash kullota më e madhe dhe burimi kryesor i ushqimit për bagëtinë e zonës. Prej disa javësh, kjo hapësirë prej rreth 35 hektarësh është në qendër të një debati të ashpër mes banorëve dhe Bashkisë së Pogradecit, e cila ka paraqitur në Këshillin Bashkiak një projektvendim që ndryshon statusin e kullotës në tokë për panele fotovoltaike.

Propozimi është kundërshtuar me protesta të njëpasnjëshme nga banorët, të cilët shprehen se humbja e kullotës do të ishte fatale për blegtorinë e fshatit. Në mbledhjen e datës 28 të Këshillit Bashkiak, banorët u përballën me këshilltarët, duke debatuar ashpër për projektin, ndërsa vendimmarrja përfundimtare u shty për një tjetër mbledhje.

Çërrava numëron sot rreth 700 shtëpi dhe për shumicën e tyre blegtoria është burimi kryesor i të ardhurave. Sipas të dhënave, në këtë fshat rriten rreth 2000 krerë bagëti të imta, 110 lopë dhe 40 njëthundrakë. Bregu i Lëndinave shërben si hapësira kryesore e ushqimit të tyre dhe njëkohësisht si burim i vetëm uji për bagëtitë. Banorët kujtojnë se vite më parë, me kërkesë të pushtetit vendor, larguan stallat nga brenda fshatit, ndërsa sot përballen me rrezikun për t’u hequr edhe kullota e vetme.

Për shumë familje, nëse ky projekt do të marrë miratimin e këshillit, do të thotë fundi i punës në blegtori. Disa banorë që janë rikthyer nga emigrimi për t’u marrë me këtë aktivitet thonë se vendimi i bashkisë do t’i detyrojë të marrin sërish rrugët e mërgimit. Ata theksojnë se në një kohë kur numri i bagëtive po bie ndjeshëm, veprime të tilla vetëm sa e dëmtojnë më shumë këtë sektor, ndërsa Çërrava mbetet një nga fshatrat me numrin më të madh të bagëtive në Pogradec.

Nga ana tjetër, Bashkia e Pogradecit, përmes përfaqësuesve të saj, ka sqaruar se sipërfaqja e kullotës nuk ka cilësi të lartë dhe se me dhënien me qira për panele fotovoltaike, fshati do të përfitonte një të ardhur të konsiderueshme, rreth 1000 euro për hektar në vit. Për këtë arsye, sipas pushtetit vendor, projekti do të kishte vlerë për buxhetin e komunitetit.

Banorët e kundërshtojnë këtë argument, duke thënë se nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhura monetare, por për mbijetesën e një tradite dhe të një mënyre jetese. Ata janë shprehur se do të bëjnë gjithçka për të mos lejuar që tokat e fshatit të zihen nga kompani të ndryshme, duke e konsideruar kullotën një pasuri të patjetërsueshme për jetën e tyre.

Lind pyetja kush biznesmen dhe kompani do të vendosë aty panelet djellore dhe cilat janë lidhjet e forta me disa prej zyrtarëve të Bashkisë Pogradec, të cilët duan të përfitojnë nga tokat që duan t’i grabiten fshatit. Redaksia e Pogradecipress.al do të investigojë çdo lidhje apo përfitim që do të kenë zyrtarët lokal nga ky investim dhe do ta publikojë nëse marrëzia e pushtetit vendor do të vazhdojë për këtë çështje!

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit