Një postim i bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, në Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë ka ngjallur reagime dhe pikëpyetje serioze mbi respektimin e rregullave të sigurisë në institucionet penitenciare. Në fotot e shpërndara prej tij shihet qartë një person në IEVP Pojskë, që mban në dorë një aparat fotografik dhe realizon foto nga brenda ambjenteve të institucionit.
Në përshkrimin e postimit, Qose e paraqet këtë aktivitet si një nismë për të dhënë mundësinë që të burgosurit të shprehin botën e tyre të brendshme përmes artit të fotografisë, duke e konsideruar një formë reflektimi, shprese dhe fuqizimi personal.
Por pamjet hapin një debat të madh, si është e mundur të lejohet futja dhe përdorimi i një aparati fotografik në një burg? Sipas rregulloreve të përgjithshme, përdorimi i pajisjeve të tilla është rreptësisht i ndaluar në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, për shkak se konsiderohet kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë. Ligji shqiptar mbi ekzekutimin e vendimeve penale dhe rregulloret e brendshme të Drejtorisë së Burgjeve e parashikojnë qartë ndalimin e mjeteve të komunikimit dhe pajisjeve elektronike që mund të shërbejnë për shpërndarje informacioni apo dokumentim të brendshëm të ambienteve të burgut.
Precedentë të ngjashëm në vende të tjera kanë treguar se përdorimi i aparateve apo celularëve në qeli është shoqëruar me pasoja serioze sigurie, pasi fotografitë mund të ekspozojnë pamje të ambienteve të brendshme, vendosjen e kamerave të sigurisë, rojeve apo elementëve të tjerë të ndjeshëm që cënojnë kontrollin e institucionit.
Në këtë rast, edhe pse iniciativa është paraqitur si një formë humanizimi dhe rritjeje të rolit të artit në burgje, postimi ka ngritur dyshime mbi mënyrën sesi është lejuar përdorimi i aparatit fotografik, kush e ka autorizuar dhe a janë respektuar procedurat ligjore.
Ky episod sjell në vëmendje tensionin e përhershëm mes qëllimeve rehabilituese dhe funksionit të sigurisë në sistemin penitenciar, deri ku mund të shkojë liria e shprehjes së të burgosurve pa cënuar rregullat themelore të mbrojtjes së institucionit dhe komunitetit?




