Këshilltari bashkiak në Korçë, Klajdi Pllaha, ka reaguar lidhur me gjendjen e disa godinave të amortizuara në qytet, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për garantimin e sigurisë publike. Në një postim të bërë në rrjete sociale, ai nënvizon se këto ndërtesa të braktisura përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për komunitetin, duke u kthyer në kërcënim për kalimtarët dhe banorët përreth.
“
Në këtë periudhë aksionesh nga IKMT më lind një pyetje: 👉 A nuk duhet shteti (IKMT / Bashkia) të ndërhyjë në godinat e amortizuara që përbëjnë rrezik për qytetarët?
🏚️ Edhe nëse këto godina janë private, në momentin që kthehen në kërcënim për komunitetin nuk mund të lihen më në këtë gjendje.
🚸 Fëmijët që luajnë pranë tyre, kalimtarët e rastit, makinat e parkuara poshtë – të gjithë ekspozohen ndaj rrezikut. ⚠️ Pa folur për papastërtinë që grumbullohet, rrezikun për infeksione apo edhe për prishjen e imazhit të qytetit.
Nëse pronarët i kanë braktisur dhe nuk kanë mundësi të ndërhyjnë, atëherë shteti duhet të marrë përgjegjësinë për të minimizuar rrezikun:
✅ në rastin më të lirë duke ndërhyrë për prishjen,
✅ ose pse jo, duke menduar edhe restaurimin me fonde publike dhe shfrytëzim të përkohshëm nga Bashkia për interes publik. Një lloj PPP-je “inverse”.
👉 Në çdo rast, siguria e komunitetit duhet të prevalojë mbi gjithçka tjetër. 🛑” – shkruan Pllaha.
Ai thekson se ndërhyrja e menjëhershme është e domosdoshme për të shmangur rrezikun e aksidenteve dhe për të ruajtur imazhin e qytetit, duke i bërë thirrje Bashkisë dhe institucioneve përkatëse të marrin përgjegjësitë e tyre.

