Mbetet aktive edhe pas 24 orësh vatra e zjarrit që ka përfshirë zonën nga fshati Vernik deri në fshatin Kapshticë. Rreth 50 forca të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Devoll, të mbështetura nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor, Policia e Shtetit, Policia Kufitare dhe banorë të zonave përreth, po vijojnë ndërhyrjen në terren për të mbajtur nën kontroll flakët, të cilat favorizohen nga era dhe temperaturat e larta.
Sipas një bilanci paraprak, sipërfaqja e përshkruar nga zjarri arrin në rreth 250 hektarë, ku pjesa më e madhe është bimësi e ulët dhe shkurre. Intensiteti i flakëve ka rënë ndjeshëm, megjithatë mbeten aktive disa vatra të vogla përgjatë vijës kufitare.
Ndërhyrja në kohë e grupeve të punës ka bërë të mundur shpëtimin e dhjetëra bagëtive dhe një ferme bletësh në fshatin Vernik, të cilat ishin rrezikuar nga përhapja e flakëve.
Gjatë mëngjesit të sotëm, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë mbërritur edhe forcat zjarrfikëse të palës greke. Strukturat mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mëtejshëm në terren.

