Muzeu i Pogradecit, një prej institucioneve më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore të zonës, po përjeton një bum vizitorësh këtë vit. Pas një periudhe restaurimi dhe sistemimi të fondit muzeal, gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2025 janë regjistruar mbi 700 vizitorë, ndërsa me afrimin e sezonit të lartë turistik, pritet që ky numër të shumëfishohet ndjeshëm.
Froseda Tola, përgjegjëse e muzeut, pohon se një pjesë e mirë e vizitorëve janë qytetarë vendas dhe nxënës të shkollave të zonës, por gjatë muajve të fundit është shtuar ndjeshëm edhe prania e turistëve të huaj, veçanërisht europianë.
“Pas restaurimit, muzeu ka pasur një interes të shtuar. Vizitorët e huaj vijnë kryesisht nga Evropa dhe ndalojnë në muze për të parë nga afër objekte me vlera arkeologjike, etnografike e historike. Interesi ka ardhur edhe si pasojë e zbulimeve të fundit në zonën e Linit, ku pjesë e strukturave palafite janë tashmë të ekspozuara edhe në muze.” Tha Tola
Pikërisht kjo lidhje mes zbulimeve të reja arkeologjike dhe pasurimit të fondit muzeal po e bën muzeun jo vetëm një ndalesë kulturore, por një pikënisje për eksplorimin më të thelluar të trashëgimisë së rajonit.
Vizitorët, pas ndalesës në muze, zgjedhin të vizitojnë dhe sajtet e tjera historike të rrethit të Pogradecit, përfshirë Linin, Tushemishtin, rrënojat e bazilikave paleokristiane dhe varrezat ilire.
“Zakonisht, pas vizitës në muze, turistët kërkojnë informacion edhe për monumentet e tjera të trashëgimisë në zonë. Kjo e kthen muzeun në një lloj qendre orientuese për turizmin kulturor në Pogradec.” shtoi përgjegjësja e muzeut të Pogradecit
Gjatë muajve të verës është vërejtur një rritje e vazhdueshme e interesit, sidomos nga grupe të organizuara dhe familjarë që kalojnë pushimet buzë liqenit dhe kërkojnë të njohin më nga afër historinë e qytetit. Fluksi real i pritet të jetë disa herë më i lartë sesa në periudhën janar-qershor, duke kthyer muzeun në një nga pikat më të vizituara të qytetit në sezonin turistik.
Muzeu i Pogradecit mbetet një pasqyrë dinjitoze e historisë së hershme të qytetarisë liqenore, e ruajtur dhe e paraqitur me përkushtim për publikun vendas dhe ndërkombëtar.

