Mbrëmja e dytë e MIK Festival kulmoi me performanca artistike dhe vepra të interpretuara e krijuara nga tenori Gaqo Çako, duke përkuar me 90-vjetorin e lindjes së tij. Artistë, ish-studentë të Çakos si edhe përfaqësues të brezave të rinj të muzikës klasike, u bashkuan në skenën e Teatrit të Korçës për të sjellë një repertor të larmishëm.
Dirigjenti Eno Koço, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Gaqo Çakos, theksoi vlerat e patjetërsueshme të figurës së tij si tenor shqiptar. Ndër të tjera, Koço ka sjellë në jetë edhe një CD dhe një libër të dedikuar këtij artisti të madh.
Tatjana Elmazi, dikur interpretuese e rolit të Afroditës në “Karnavalet e Korçës”, u rikthye në skenë pas 32 vitesh, mes emocionesh të shumta, për të përkujtuar figurën e ish-profesorit të saj, Gaqo Çako. Megjithëse kishte qëndruar larg Shqipërisë për një kohë të gjatë, ajo zgjodhi pikërisht këtë ditë për t’u rikthyer në skenë, në nder të 90-vjetorit të lindjes së tij.
Xhoiden Dervishi është një ndër të rinjtë shqiptarë që po zhvillon karrierën e tij operistike jashtë vendit. Në homazh të figurës së Gaqo Çakos, ai u shpreh se Shqipëria ka ruajtur një imazh të izoluar të tenorit dhe nëse do t’i ishte dhënë mundësia të shfaqej në skena ndërkombëtare, ai do të kishte arritur famë botërore.
Mbrëmja pati dhe një moment të veçantë suprizues: ngjitjen në skenë të Antoni Çakos, nipit të tenorit, i cili performoi së bashku me nënën e tij, sopranon Inva Mula. Ajo ndau me mediat disa momente emocionuese nga kjo natë.
Në Korçën ku lindi, mbrëmjen e djeshme u përkujtua figura e tenorit të madh shqiptar, Gaqo Çako. Në skenë u ngjitën emra të njohur si Kastriot Tusha dhe Gjergji Mani, nën tingujt e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura.

