Në ambientet e ngrohta dhe mikpritëse të Bibliotekës Publike “Mitrush Kuteli”, u zhvillua promovimi i librit më të ri me titull “Neoshqiptarizmi”, i autorit dhe pedagogut të njohur Arian Galdini. Ky aktivitet u bë një pikëtakim mes mendimit intelektual, identitetit kombëtar dhe dashurisë për librin.
Në këtë ngjarje morën pjesë lexues të rregullt të bibliotekës, miq të autorit, historianë, studiues dhe qytetarë të interesuar për çështjet e kulturës dhe kombit. Gjatë prezantimit të librit, autori ndau me të pranishmit arsyet pse e shkroi këtë vepër dhe thellësinë e reflektimeve që ajo përmban.
Në fjalën e tij, Galdini theksoi se “Neoshqiptarizmi” është më shumë sesa një term apo titull – është një thirrje për vetëdije, për kthim te rrënjët dhe vlerat që përbëjnë themelin e identitetit shqiptar. Sipas tij, në kohët moderne, ku vlerat shpesh zbehen përballë globalizmit dhe ndikimeve të jashtme, është thelbësore që ne shqiptarët të rikthejmë me çdo kusht ato qëndrime, sjellje dhe vlera që na kanë bërë të jemi ajo që jemi.
Diskutimi ishte i hapur dhe interaktiv, me shumë pyetje nga audienca që ngjallën debat dhe reflektim.
Biblioteka “Mitrush Kuteli” vijon të jetë një hapësirë e gjallë kulturore, ku zhvillohen aktivitete që ndihmojnë në nxitjen e mendimit kritik, dashurisë për librin dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare.

