Një aksident tragjik është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor “Pogradec – Qafë Thanë”, në afërsi të fshatit Piskupat. Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Shtetit, automjeti që drejtohej nga shtetasi Alfons Bleta, 34 vjeç, dyshohet se ka dalë nga rruga si pasojë e humbjes së kontrollit, duke përfunduar në ujërat e liqenit të Pogradecit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:30 të mëngjesit. Sipas dëshmive të para dhe gjurmëve në vendin e ngjarjes, automjeti ka kaluar me shpejtësi shumë të lartë, duke marrë përpara dy trafikndarës dhe dy tavolina betoni përgjatë segmentit rrugor pranë liqenit, përpara se të përfundonte në ujë. Mjeti vinte nga drejtimi i Linit drejt Pogradecit, ndërsa në kthesën e Piskupatit drejtuesi i mjetit nuk ka ndjekur rrugën, por ka goditur direkt trafikndarësin dhe ka përfunduar në liqen, ku një pjesë e gabinës së mjetit të përmbysur ishte mbushur me ujë.
Nga hetimet paraprake rezulton se viktima ka qenë i vetëm në mjet në momentin e aksidentit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në këtë humbje të jetës.

