Teksa temperaturat përvëluese kanë përfshirë pothuajse të gjithë vendin, Voskopoja mbetet një nga destinacionet më të preferuara të juglindjes për ata që kërkojnë qetësi, freski dhe ajër të pastër malor.
Në këtë periudhë të verës, është veçanërisht mosha e tretë ajo që zgjedh të kalojë pushimet në këtë fshat historik, për të shmangur të nxehtin e qyteteve të mëdha. Voskopoja njihet jo vetëm për klimën e saj të butë dhe relievin e freskët, por edhe për trashëgiminë kulturore, kulinarinë tradicionale dhe mikpritjen që karakterizon komunitetin vendas.
Sink – Pushues nga Vlora
Ndërsa në Tiranë dhe Elbasan temperaturat kapin shifra ekstreme, shumë qytetarë nga këto zona zgjedhin Voskopojën si strehë kundër vapës, duke kaluar atje disa ditë relaksi në natyrë.
Operatorët turistikë në zonë shprehen se modeli i turizmit familjar është më i përhapuri në Voskopojë. Sipas tyre, gjatë muajve korrik dhe gusht ka një rritje të ndjeshme të vizitorëve, ku pjesa më e madhe janë pensionistë vendas, por gjithashtu nuk mungojnë as turistët e huaj, të cilët janë tërhequr më së shumti nga kultura dhe historia e pasur e zonës.
Përveçse një destinacion i preferuar turistik, Voskopoja mbetet një ndër vendbanimet më të hershme dhe me vlera historike në rajon. Ajo ruan ende gjurmët e qytetërimit të dikurshëm, të mishëruara në kishat e shumta dhe manastiret që pasurojnë identitetin shpirtëror e kulturor të kësaj zone malore.