SEZONI I TË RINJVE ME TABAKA NË DUAR
Aty vera çdo ditë e më shumë po bëhej edhe më e nxehtë, dhe bashkë me të, edhe një tjetër sezon i veçantë, jo sezoni turistik.
Por sezoni i të rinjve me tabaka në duar!
Në çdo cep lokali, një djalë pa mjekër, me bluzë apo këmishë si thes dhe sy të fryrë nga gjumi i munguar, apo fytyrë e skuqur nga dielli i drekës, përshëndet me një “çfarë dëshironi”? që nuk del nga buzët, por nga zakoni.
Aty vapa është vetëm për popullin. Shumë të moshuar freskohen me pajisje që tingëllojnë si helikopter, blerë me 10 mijë lekë. Nga ana tjetër disa zyrtarë nuk hapin as xhamin e makinës luksoze, ata kanë kondicioner, freski, komoditet. Madje mbajnë edhe syze më të errëta se e ardhmja e djaloshit që sapo ka nisur të mbajë tabaka.
Qendra është për turistët, e pastër, me ndriçim, me tavolina të bukura dhe lokale si të Evropës. Në lagjet e sipërme, pallate pa suvatim dhe rrugë pa dritë. Atje në ato lagje dritarja e hapur nuk shërben për të parë jashtë, por për të freskuar dhomën.
Krijimtaria e marketingut turistik në atë vend kërkon edhe ide, oksigjen, kreativitet, jo vetëm “like”. Shumë evente, shumë fjalime, por askush s’mban mend asnjë fjali pasi nuk dinë as ç’është eventi as ç’është terreni, pasi janë gjithë kohës vetëm mbi makina të larta.
Ndërtesat e reja në qendër janë si skena të një filmi luksoz. Pallatet në periferi si fabrikat e vjetra të Anglisë industriale, pa dritë, pa jetë. Vera aty është një paradë e freskie e pakicës dhe lodhjes së shumicës.
Aty vera ka një ritëm të vetin. Një ritëm ku orët matën jo nga dielli, por nga numri i tabakave të mbajtura në duar të vogla, por të zellshme. Në çdo restorant, një “ushtar” i ri, 16, 17 apo 18 vjeç, që mban barrën e sezonit në supe dhe buzëqeshjen në fytyrë. Jo për ndonjë ëndërr të madhe apo për ndonjë perspektivë shprese, por për të mos e humbur stinën e shpresës që përkthehet në një rrogë dhe bakshishe të mira për të blerë libra, rroba e për të ndihmuar familjen. Ata të rinj mësojnë të shërbejnë që në klasë të tetë, ndërsa zyrtarët mësojnë të mos përgjigjen që nga viti i diplomimit. Gjimnazistë plot që vrapojnë me pjata në dorë, që s’kanë CV, por dinë të buzëqeshëshin më mirë se zyrtari që të flet pas syzeve të errëta e buzëve të ngjeshura.
Një rutinë dekadash që përsëritet, pa shumë ndryshim, pa shumë zgjidhje, vetëm me tabaka dhe buzëqeshje që fshehin lodhjen.
Në sezonin e të rinjve me tabaka në duar, është thjesht një verë tjetër lodhjeje për t’u harruar, por ndoshta një faqe kujtese për ata që ende presin një të nesërme më të mirë.
r.d