Zbardhet ngjarja e djeshme, ku gjatë një operacioni antidrogë u përfshinë në aksident dy efektivë policie, ndërsa njëri prej tyre mbeti i lënduar.
Policia e Korçës kishte zhvilluar një operacion, gjatë të cilit efektivët konstatuan një person që dyshohet se kishte blerë një sasi lënde narkotike te i arrestuari Vangjush Dushku. Gjatë ndjekjes së këtij personi, efektivët u përfshinë në një aksident rrugor, pasi u përplasën me mjetin e personit që po ndiqnin. Ky i fundit u arrestua nga policia.
Mësohet se, edhe në momentin kur ndodhi aksidenti, pjesa tjetër e grupit të policisë u drejtua drejt lokalit ku Vangjush Dushku punonte si kamarier. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën doza të tjera lënde narkotike në trup, si dhe në ambientet e lokalit. Edhe Vangjush Dushku u arrestua nga policia.
Nga ana tjetër, në kërkim është shpallur pronari i lokalit në fshatin Lumalas, ku dyshohet se kryhej shitja e drogës. Policia po vijon veprimet hetimore për rastin, ndërsa nga spitali i Tiranës, ku ndodhet efektivi i lënduar, mësohet se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

