Ndërkohë që rrugët e fshatit Buçimas në Njësinë Administrative me të njëjtin emër në bashkinë e Pogradecit po i nënshtrohen rehabilitimit, një lagje e tërë është lënë jashtë këtij procesi. Bëhet fjalë për “Mehallën e Zezë”, e cila sipas banorëve është e vetmja zonë që nuk ka përfituar nga investimi i kryer në infrastrukturën rrugore të fshatit.
Në një prononcim për PogradeciPress, banorët e kësaj lagjeje shprehen të zhgënjyer nga pushteti vendor, duke theksuar se pavarësisht premtimeve dhe pritjes shumëvjeçare, rruga e tyre e brendshme nuk është shtruar. “Jemi mbi 70 familje që jetojmë këtu dhe po përjashtohemi nga investimi. Rruga jonë është e kalueshme me vështirësi, pluhri dhe balta na shoqërojnë”, shprehen banorët.
Ata e konsiderojnë këtë përjashtim si një formë diferencimi të padrejtë dhe të pajustifikueshëm, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye logjistike apo teknike pse lagjja e tyre nuk u përfshi në projektin e rehabilitimit.
Ndërkohë, nga ana e institucioneve vendore nuk ka ende një reagim zyrtar për këtë çështje. Banorët kërkojnë një sqarim publik dhe përfshirjen e menjëhershme të lagjes në investimin që po zbatohet në të gjithë fshatin. Ata paralajmërojnë se, në mungesë të një përgjigjeje dhe ndërhyrjeje konkrete, do të organizohen për të protestuar kundër kësaj padrejtëse.