ATSH/ Korça po bëhet gati për MIK Festival, aktiviteti artistik i përvitshëm, i drejtuar nga sopranoja e mirënjohur Inva Mula.
MIK Festival rikthehet këtë vit me edicionin e tij të 8-të. Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, njoftoi përmes rrjeteve sociale se festivali do të zhvillohet nga data 10 deri më 13 korrik.
“Qyteti ynë mirëpret një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të verës, me një kalendar të pasur artistik dhe pjesëmarrjen e emrave të njohur të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare. 4 netë me muzikë ndërkombëtare, në mjediset më të bukura të Korçës, një festë e vërtetë për artin dhe qytetin”, u shpreh kryebashkiaku Filo.
MIK Festival do të zhvillohet në vendndodhje të ndryshme: ai do të zhvendoset nga Hani i Pazarit, në Teatrin “Çajupi”, nga Drenova në Vithkuq etj. Me rëndësi do të jetë koncerti kushtuar lirikut më të madh të vokalit shqiptar Gaqo Çako, në 90-vjetorin e lindjen. Ndërkohë mes të ftuarve të shumtë festivalit spikat emri i balerinit shqiptar Eno Peçi, koreograf dhe primobalerin i Teatrit të Vjenës. /j.p/