Kreu i PD Pogradec ironizon Bashkinë: “Ta quajmë Xhakolli Sh.p.k!” – Akuza për klientelizëm dhe punësime fiktive
Pogradec – Me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe tejet ironike, kryetari i Partisë Demokratike në Pogradec Oligert Muçllari ka reaguar publikisht ndaj mënyrës se si, sipas tij, po funksionon Bashkia Pogradec. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka sugjeruar që institucioni vendor të ndryshojë emrin, duke e quajtur “Xhakolli Sh.p.k”, në një referencë të qartë ndaj kryebashkiakut Ilir Xhakolli.
Postimi i plotë i kryetarit të PD Pogradec:
“Kam një sugjerim: Po sikur Bashkia Pogradec të quhet ‘Xhakolli Sh.p.k’???!!!
Sepse në fund të ditës edhe misioni i këtij institucioni nuk është shërbimi ndaj qytetarëve, por gjobëvënia në funksion të një grupi të vogël pranë kryetarit të bashkisë.
Një bashki që mbi 50% e stafit nuk e di që punon në bashki, por që ka si mision të marrë rrogën çdo muaj për 4 vite rresht dhe të punojë vetëm për 1 ditë në 4 vite: ditën e zgjedhjeve.
Kështu që nga ‘Bashkia Pogradec’ më mirë të quhet ‘Xhakolli Sh.p.k’”
Në mungesë të një reagimi zyrtar nga ana e Bashkisë, akuzat mbeten një çështje e hapur për debat në opinionin publik të qytetit liqenor.