Autorja pogradecare Amarilda Dokollari, e njohur për ndjeshmërinë dhe stilin e saj të veçantë letrar, vjen për lexuesit me dy botime të frymëzuara: “Dhimbja e fundit e zemrës” dhe “Në krahët e dashurisë”. Këto vepra, të shkruara me shpirt dhe ndjenjë të thellë, trajtojnë temat universale të dashurisë, dhimbjes dhe forcës që lind nga përballja me to. Ajo ndan me lexuesit një ftesë të sinqertë për të përhapur këto mesazhe prekëse, duke falënderuar të gjithë ata që mbështesin artin dhe krijuesit shqiptarë.

Dhimbja e fundit e zemrës
Ky libër është një rrugëtim emocional nëpër plagët e shpirtit, ku fjalët marrin formën e lotëve dhe kujtimet bëhen vargje që nuk harrohen. Çdo poezi është një pasqyrim i dhimbjeve më të thella që një zemër mund të mbajë plagë nga mungesa, zhgënjimi, vetmia dhe dashuritë e shkuara.
Nëpërmjet ndjenjave të vërteta, lexuesi do të udhëtojë në një botë ku dashuria nuk është vetëm lumturi, por edhe sakrificë.
Ky libër është për ata që kanë ndjerë shpirtin të thyhet, por nuk e kanë humbur forcën për të shkruar për të.

Në krahët e dashurisë
Ky libër është një himn për dashurinë të pastër, të çiltër dhe përjetësisht të bukur. Në çdo varg ndihen rrahjet e një zemre që zgjedh të dashurojë me gjithë shpirtin, pavarësisht pengesave.
Poezitë janë të mbushura me ëmbëlsi, mall, pritje dhe lumturi të thellë që vetëm dashuria e sinqertë mund të dhurojë.
“Në krahët e dashurisë” është një përqafim i ngrohtë për të gjithë ata që besojnë se dashuria është forca më e madhe që na mban gjallë, na shëron dhe na bën të fluturojmë.