Largohet një tjetër emër i njohur nga KF Pogradeci – Astrit Hysenllari i jep lamtumirën ekipit liqenor
Pogradec – Largimet nga KF Pogradeci vijojnë të shtohen, duke krijuar një situatë që për tifozët e futbollit në qytetin liqenor po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përtypur.
Pas Shkulakut, Berberit dhe Kasmollarit, radha i ka ardhur një tjetër emri të njohur dhe të dashur për tifozët: Astrit Hysenllarit. Futbollisti që prej vitesh ka qenë një prej shtyllave të ekipit dhe një nga figurat më të dalluara të brezit të fundit, i ka dhënë zyrtarisht lamtumirën klubit të qytetit të tij.
Hysenllari do të mbahet mend jo vetëm për përkushtimin ndaj fanellës bardhekaltër, por edhe për teknikën e rafinuar, qartësinë në lojë dhe zgjuarsinë në fushë, cilësi që e kanë bërë një nga lojtarët më të admiruar të viteve të fundit.
Largimi i tij shënon një tjetër humbje të rëndësishme për formacionin pogradecar, në një verë që duket se po sjell më shumë largime sesa afrime. Ende nuk dihet se cilat janë planet e radhës të Hysenllarit, por një gjë është e sigurt: trashëgimia që ai lë pas në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” do të jetë e vështirë për t’u zëvendësuar.