PARKU KOMBËTAR I DRILONIT – Dikur simbol i natyrës së qetë dhe krenari e turizmit në juglindje, sot po shndërrohet në një tjetër shembull të investimeve pa frymë dhe pa vizion. Projekti që u promovua me bujë si një ndër më të mëdhenjtë për “rivitalizimin” e parkut, me një kosto prej miliona eurosh, ka dështuar të përmbushë qëllimin thelbësor: kthimin e Drilonit në një destinacion tërheqës dhe të gjallë për turistët vendas e të huaj.
Sot, vizitorët përballen me një realitet krejt të kundërt: ambiente të mbuluara nga bimësi e pakontrolluar, ndotje në kanalet ujore, mbeturina të shpërndara ngado, dhe mbi të gjitha, një moskujdesje të theksuar institucionale. Nga xhungla e dikurshme, Driloni po kthehet… sërish në një xhungël kësaj radhe, më cinike, sepse pas saj qëndrojnë paratë e taksapaguesve dhe premtimet e pambajtura të zyrtarëve.
Ironikisht, ndërsa projekti pretendonte të ruante dhe forconte identitetin natyror dhe kulturor të zonës, rezultati i tij ka qenë i kundërt: Driloni i sotëm ka humbur edhe ato elemente autentike që dikur e bënin të veçantë. Ajo që është ndërtuar është një kopje e zbehtë, e shpërfytyruar dhe pa jetë e së kaluarës së lavdishme që kishte ky park.
Edhe pse ekzistojnë mekanizma dhe institucione që kanë për detyrë mirëmbajtjen dhe kontrollin e vazhdueshëm të zonës, nuk është ndërmarrë asnjë masë reale për ta ruajtur parkun në standardet minimale. Ky neglizhim bëhet edhe më i pafalshëm në kulmin e sezonit turistik, kur vizitorët janë të shumtë dhe pritshmëritë janë të larta.
Në vend që të kthehej në një magnet për turizëm elitar dhe ekologjik, Driloni po zbrazet. E ndërsa turistët largohen të zhgënjyer, Driloni mbetet një dëshmi tjetër se si projektet madhore, në mungesë të vizionit dhe përgjegjësisë, jo vetëm që dështojnë, por edhe e shkatërrojnë atë që dikur funksiononte më mirë pa to.
Pyetja që mbetet pezull është kjo: Kush mban përgjegjësi për këtë transformim regresiv? Apo Driloni, si shumë pasuri të tjera natyrore, do të lihet të vdesë ngadalë në heshtje dhe harresë?