Pogradec – Vetëm pak metra larg kolektorit kryesor të ujërave të zeza të fshatit Bucimas, gjashtë banesa në afërsi të lumit të Starovës po përballen me mungesë totale të investimeve në sistemin e kanalizimeve, duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe mjedisin.
Banorët, të cilët jetojnë më pak se 50 metra larg linjës ekzistuese të kanalizimeve, kanë bërë dhjetëra herë kërkesa drejtuar Ujësjellës Kanalizimeve Pogradec për lidhjen me rrjetin kryesor. Megjithatë, pavarësisht premtimeve të herëpashershme nga ana e UK Pogradec, deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për të zgjidhur situatën.
Për pasojë, ujërat e zeza të këtyre familjeve derdhen në mënyrë të pakontrolluar në lumin që përshkon zonën dhe përfundojnë në liqenin e Pogradecit, duke përbërë një kërcënim të hapur për mjedisin dhe shëndetin publik. Era e rëndë dhe ndotja janë bërë shqetësim i përditshëm për banorët, të cilët ndihen të braktisur nga institucionet.
“Na kanë thënë disa herë që do vijnë ta rregullojnë, por nuk ka lëvizur asgjë. Nuk jemi larg kolektorit, nuk kërkojmë ndonjë mrekulli, vetëm të na lidhin me rrjetin që është aty pranë,” – shprehen banorët, të shqetësuar për fëmijët dhe të moshuarit që përballen çdo ditë me ndotjen dhe rrezikun e infeksioneve.
Ata i drejtojnë një tjetër thirrje pushtetit vendor dhe bashkisë Pogradec që të ndërhyjnë pa vonesë, duke rikujtuar premtimin e dhënë gjatë fazës së rikualifikimit urban të lagjes dhe rregullimit të shtratit të lumit, ku ndër të tjera ishte parashikuar edhe zgjidhja e këtij problemi.
Në një kohë kur mbrojtja e liqenit të Pogradecit është shpallur prioritet kombëtar dhe ndërkombëtar, heshtja institucionale përballë ndotjes së drejtpërdrejtë të tij nga ujërat e zeza është jo vetëm paradoksale, por dhe alarmante. Banorët presin veprime, jo më fjalë.