Pogradec – Arrest dhe procedim penal për posedim lënde narkotike, sekuestrime në banesë
Pogradec – Një operacion i specialistëve për Hetimin e Narkotikëve në qytetin e Pogradecit ka çuar në arrestimin e një personi dhe në nisjen e procedimit penal për një tjetër, pas zbulimit të lëndës narkotike të dyshuar si cannabis sativa.
Policia ka bërë të ditur se gjatë një kontrolli fizik dhe të banesave të dy personave, janë gjetur dhe sekuestruar sasi të lëndës narkotike, ndërsa njëri prej tyre është vënë menjëherë në pranga.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet:
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin N. K., 32 vjeç, dhe filluan procedimin penal për shtetasin O. H., 21 vjeç, banues në Pogradec, pasi: Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesave të tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuara e llojit cannabis sativa.”
Materialet hetimore i kanë kaluar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Pogradec për vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore.