Pogradec – Pas denoncimit publik të këshilltarit bashkiak Arbër Male mbi mungesën e sinjalistikës horizontale në rrugët e qytetit, Bashkia e Pogradecit ka ndërmarrë menjëherë një aksion për rikthimin e vijëzimeve rrugore në disa akse urbane.
Edhe pse një fond i dedikuar ishte parashikuar më herët për këtë shërbim, sinjalistika kishte munguar në terren, duke rritur jo vetëm pasigurinë për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët, por edhe perceptimin për neglizhencë nga ana e pushtetit vendor. Reagimi i këshilltarit Male në rrjetet sociale duket se ka sjellë lëvizje institucionale.
“Ndryshimi vjen pas reagimit! Vetëm nëpërmjet reagimit dhe kërkesës për transparencë mund ta përmirësojmë qytetin dhe hapësirën tonë të përbashkët,” shkroi Male në një postim në Facebook, duke theksuar se angazhimi qytetar dhe roli i përfaqësuesve në këshillin bashkiak mbeten thelbësorë për mbikëqyrjen e shërbimeve publike.
Aktualisht, punonjës të bashkisë janë angazhuar në vijëzimin e rrugëve në disa nga segmentet më të frekuentuara të qytetit, ndërsa qytetarët kanë shprehur reagime pozitive për këtë ndërhyrje, duke e konsideruar një hap të domosdoshëm drejt rritjes së sigurisë rrugore dhe funksionalitetit urban.