Një lajm i mirë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në aksin rrugor Qafë Plloçë: ka nisur asfaltimi i segmentit të ri, i cili eliminon përfundimisht kthesat e rrezikshme dhe të lodhshme që prej vitesh kanë qenë burim shqetësimi dhe aksidentesh.
Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se ky investim i rëndësishëm në infrastrukturë do të sjellë lëvizje më të sigurt, më të shpejtë dhe më të rehatshme për të gjithë përdoruesit e rrugës, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.
🔧 “Nuk do të ketë kthesa të lodhshme dhe të rrezikshme pasi është duke u asfaltuar segmenti i ri rrugor që i jep fund një problemi të vjetër për drejtuesit e mjeteve.
Ky investim i rëndësishëm për infrastrukturën garanton lëvizje më të sigurt, më të shpejtë dhe më të rehatshme, veçanërisht në muajt e dimrit kur kjo rrugë është sfiduese për të gjithë.
✅ Më pak stres
✅ Më shumë siguri
✅ Më shumë zhvillim për zonën, e cila do të finalizohet me hapjen e aksit Qukës–Qafë Plloçë për pak kohë.
Vazhdojmë të punojmë për Pogradecin që duam!” – shkruan Xhakolli.*
Asfaltimi i këtij segmenti është pjesë e përmbylljes së projektit më të gjerë të aksit Qukës–Qafë Plloçë, një nga investimet strategjike që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e lëvizjes, rritjen e sigurisë rrugore dhe zhvillimin ekonomik të zonës.