Në edicionin e sivjetshëm të Panairit të Librit në Prishtinë, përkthyesi dhe studiuesi Pandeli Pasko, i biri i shkrimtarit të madh Mitrush Kutelit është vlerësuar për përkthimin nga italishtja të librit “Lufta ime ndaj indiferencës” të autorit Zhan Selim Kanaan. Ky libër prek me një qasje njerëzore realitetin dramatik të pasluftës në disa nga zonat më të goditura të botës, përfshirë Kosovën, Somalinë dhe Bosnje-Hercegovinën, duke sjellë në vëmendje përvojat e atyre që ndihmuan në terren përmes misioneve ndërkombëtare.
Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, Pasko ka shprehur mirënjohjen e tij për këtë vlerësim, duke theksuar se përzgjedhja e kësaj vepre për përkthim nuk ishte e rastësishme, por një zgjedhje me zemër, për vetë lidhjen emocionale dhe historike që ka me Kosovën dhe hapësirat shqiptare jashtë kufijve zyrtarë. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me Z. Abdullah Zeneli, drejtues i Shtëpisë Botuese “Buzuku”, që botoi librin në fjalë.
“U ndjeva i nderuar të jem pjesë e një panairi dinjitoz ku u trajtuan me nivel të lartë çështje të rëndësishme të botimeve shqip,” – shkruan Pasko, duke nënvizuar rëndësinë e këtyre eventeve kulturore për ndërlidhjen shpirtërore dhe gjuhësore të shqiptarëve në të gjitha trojet ku flitet shqip nga Tirana në Prishtinë, nga Ulqini në Tetovë.
Ai mbyll postimin me një urim të qartë: që panairet e librit në hapësirën shqiptare të shndërrohen në ura të forta lidhjeje, ashtu siç e kishte ëndërruar dikur Mitrush Kuteli kur fliste për “Shqipërinë e Jashtme”.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq të facebook-ut.
Po ndaj me ju një vlerësim të marrë nga Panairi i Librit në Prishtinë 2025 për përkthimin nga italishtja të librit ‘Lufta ime ndaj indiferencës” nga Zhan Selim Kanaan.
Këtë libër, i cili shquhet për këndin njerëzor nga vetë njerëzit në terren gjatë ndërhyrjeve të organizmave ndërkombëtare në vende në luftë, e pata zgjedhur edhe sepse një pjesë e tij përshkruan gjendjen e pasluftës në Kosovë, krahas përvojave të dhimbshme në Somali dhe Bosnje Hercegovinë.
Këtu dëshiroj të vlerësoj fort këshillimet dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Z. Abdullah Zeneli, drejtues i Shtëpisë Botuese ‘Buzuku’.
Ishte nder i madh për mua marrja pjesë në një panair dinjitoz, ku ashtu si gjuha që shkon atje ku dhemb dhëmbi, u diskutuan me nivel të lartë çështje të botime të librit shqip dhe më tej, dhe ku muarën pjesë drejtues të shtëpive botuese, autorë dhe studjues të huaj dhe nga gjithë trojet shqipfolëse përreth dhe të cilat Kuteli i pati quajtur ‘Shqipëria e Jashtme’.
Uroj që këto panaire të librit në Tiranë, Prishtinë, Ulqin, Tetovë e gjetkë nëpër trojet me shqiptarë të bëhen ura sa më të forta për lidhjet tona të gjakut dhe gjuhës.
Pandeli Pasko
