Policia e Pogradecit ka referuar disa raste të veçanta për ndjekje penale pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, që lidhen me veprime të kundërligjshme nga disa shtetas në zona të ndryshme të bashkisë.
Sipas njoftimit zyrtar, disa prej këtyre rasteve përfshijnë kanosje me armë, ngacmim seksual dhe dhunë fizike për motive të dobëta. Arma e përdorur në një prej rasteve është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
- B. A., 56 vjeç, banues në Proptisht, pasi dyshohet se ka kanosur me armë gjahu të cilën e posedonte me leje, një 49-vjeçar. Arma e gjahut u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
- V. B., 44 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 58-vjeçare.
- P. XH., 46 vjeç, banues në Gështenjas, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur me fjalë një 52-vjeçare.
- A. B., 54 vjeç, dhe R. B., 25 vjeç, banues në Rrëmenj, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushta në fytyrë një 23-vjeçar.”*
Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme nga organi i akuzës. Policia nënvizon angazhimin për parandalimin e rasteve të dhunës dhe mbrojtjen e rendit e sigurisë publike në të gjithë qarkun.