Filmi i nxënësve të “14 Engjëjve” kundër bullizmit, një thirrje për reflektim dhe bashkëjetesë
Në ambientet e gjimnazit “14 Engjëjt” u shfaq sot një film i realizuar nga vetë nxënësit e shkollës, në kuadër të praktikave rinore, nën drejtimin e nxenesit Dorjan Allko. Ky projekt filmik i titulluar “Aty ku zemra nuk rreh”, është i pari në llojin e vet për grupin krijues, trajton një nga plagët më të mëdha të të rinjve sot dhe temen delikate te bullizmit.
Filmi sjell në qendër të rrëfimit jetën e një të riu, të privuar nga dashuria dhe përkrahja, duke theksuar ndikimin e mungesës së mbështetjes familjare dhe sociale në ndërtimin e personalitetit. Përmes një narrative të ndjeshme dhe pamjeve që prekin thellë emocionin, autorët synojnë të përcjellin një mesazh të fortë, rëndësinë e empatisë, të përfshirjes dhe të refuzimit të ndasive mes bashkëmoshatarëve.
Krahas përfshirjes kreative të nxënësve në procesin e xhirimeve dhe skenarit, filmi është gjithashtu një reflektim mbi jetën në komunitet, familje, shkollë dhe shoqëri, si faktorë jetikë për zhvillimin e shëndetshëm të të rinjve. Shfaqja e filmit përpara bashkëmoshatarëve synon jo vetëm të nxisë ndjeshmërinë, por edhe të shërbejë si pikënisje për dialog dhe ndërgjegjësim.
(Mero flet mbi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në projekte të tilla dhe mesazhin që ky film pritet të përcjellë tek audienca e re.)
Shfaqja e tij u ndoq me interes nga prindër, mësues, bashkëmoshatarë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët vlerësuan jo vetëm cilësinë artistike të filmit, por mbi të gjitha mesazhin e fuqishëm që ai përcolli.
Ky është vetëm një nga projektet e shumta që gjimnazi i fshatit Buçimas ka realizuar gjatë këtij viti shkollor, duke dëshmuar për një klimë të gjallë edukimi ku bashkëpunimi, kreativiteti dhe ndërgjegjësimi shoqëror mbeten në qendër të formimit të brezit të ri.